
Këshilli Kombëtar i PD-së vendosi dje të anulojë zgjedhjet e datës 29 Korrik 2023. Ky organ, i mbledhur mbrëmë e konsideroi procesin zgjedhor brenda selisë blu, antistatutor dhe farsë.
Këshilli Kombëtar i PD-së i thirrur nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhin, kërkon çregjistrimin e Bashës nga partitë politike dhe anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së morën pjesë 245 nga 453 anëtarë në total.
“Këshilli Kombëtar vërejti se të gjitha vendimet dhe qëndrimet e Kryesisë së Partisë duke filluar nga data 6 Qershor 2023, janë antistatutore, të marra pa kuorum, dhe nuk kanë mbajtur në konsideratë pasojat që mund të sjellin në përçarjen dhe dobësimin e mëtejshme të partisë. Aktet e Kryesisë së Partisë kanë arritur deri më aty sa kanë përdorur, falsifikuar dhe prodhuar në mënyrë të paautorizuar vulën e PD, përmes një vendimi nul dhe antistatutor. Të gjitha këto vendime janë anuluar dhe Këshilli Kombëtar ka vendosur të pezullojë veprimtarinë statutore të Kryesisë së PDSH, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj”.
Ditët e fundit ka pasur përplasje të forta mes grupeve të krijuara në PD, teksa Gaz Bardhi ka këmbëngulur fort në mosmbajtjen e zgjedhjeve për kreun e selisë blu, të cilat ishin parashikuar për këtë të shtunë data 29 korrik, e ku Basha kërkonte rikthimin “de juro” në krye të partisë.



