
Ish-komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ka vazhduar sot dëshminë e tij në Hagë, në procesin gjyqësor ndaj ‘Thaçit dhe të tjerëve’.
Nga gjyqtarët e trupit gjykues, Mustafa u pyet lidhur me përgjegjësitë e tij komanduese dhe raportet me Shtabin e Përgjithshëm. Kryesisht ai është pyetur për qendrat e ndalimit në Zonën Operative të Llapit, si dhe raportet e tij ndërkomanduese me vartësit gjatë luftës në zonën e tij të komandimit.
Rreth pyetjes së gjykatësit se gjatë periudhës përkatëse 1998 deri në verën e 1999, kur ish-komandant Remi ishte në varësi të Shtabit të Përgjithshëm dhe nëse zona operative ishe niveli i dytë i zinxhirit të komandës, në varësi të nivelit të parë, që, në fakt, ishte Shtabi i Përgjithshëm, dëshmitari Mustafa, u përgjigj se ishte nivel operativ, kurse mbi vete kishte Shtabin e Përgjithshëm, i cili po konsolidohej.
“Asnjëherë nuk e kam autorizuar dhe nuk e kam ditur që zoti Gashi ka pasur raporte me ndokënd nga Shtabi i Përgjithshëm të UÇK-së deri pas luftës”, tha Mustafa.
Në pyetjen e gjykatësit, nëse personi në fjalë u soll si pjesëtar i UÇK-së, dëshmitari Mustafa u përgjigj se këtu po bëhet fjalë se nga cila njësi është sjellë ai person, duke sqaruar se ai person ka ardhur nga brigada 153, nga fshatrat e Prishtinës.
Ndërkaq në pyetjen e radhës nga gjykatësi nëse personat e ndaluar ishin me urdhërndalesë nga sektori informativ të zonës së Llapit, me ftesa apo thirrje, dëshmitari Mustafa tha se ka qenë thirrje normale.
“Ka pasur ftesa përmes personave të dytë, ftesa gojore, nuk mund ta di përmes cilës formë janë thirrur, por ka qenë thirrje normale për këdo që kemi mundur me dërguar fjalë”, tha ai.
Mustafa tutje është pyetur rreth njohjes së disa personave nga zona ku ai ka pasur përgjegjësi, për ç’gjë u përgjigj negativisht.
Gjatë seancës nga Gjykata u prezantuan disa dokumente për të cilat u pyet nëse ai di, Mustafa, duke iu drejtuar gjykatësit, nëse dokumenti është gjetur pas lufte nga UNMIK-u në zyrat e SHIK-ut, u shpreh se këto dokumente nuk kanë të bëjnë me kohën e luftës.



