
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, në përpjekje për të çtensionuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bindur palët që të kthehen në dialog.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar për vizitën nga disa burime diplomatike, por në BE ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në Prishinë, Lajçak pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
BE-ja po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serb. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.
Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kërkesave, BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Por, në BE kanë thënë se “mbetemi të gatshëm të ndërmarrim masa edhe ndaj Serbisë nëse vlerësojmë se nuk po vepron sipas pritjeve”.



