
Prokuroria Publike e Maqedonisë se Veriut ka paralajmëruar për sot konferencë për media, për të njoftuar rreth lëndës që ka të bëjë me projektin “Shkupi 2014”.
Konferenca do të mbahet prej orës 13, ndërsa siç thuhet në njoftim, rastin për “Shkupi 2014” që dikur ishte nën kompetenca të ish Prokurorisë Speciale, tani e ka marrë Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion.
“Prokuroria Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit e ka marrë juridiksionin e çështjes pas shpërbërjes së prokurorisë publike për ndjekjen e krimeve të ndërlidhura dhe që dalin nga përmbajtja e monitorimit të paligjshëm të komunikimeve. Me vendim të Prokurorit Publik të RMV-së, me rastin ka vazhduar të veprojë prokurori publik Ljubomir Lape, i cili do t’ju njoftojë me procedurën”, thonë nga Prokuroria Publike.
Ndryshe, MPB bëri të ditur detajet e para për arrestimin e ish-kryetarit të Komunës Qendër, Vladimir Todoroviq, së bashku me katër persona të tjerë.
“Dje në orët e pasdites dhe gjatë mbrëmjes nga zyrtarë policorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme – Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Krimit të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Publike QKK, dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, pesë persona u është hequr liria”, thonë nga MPB.
Personat u arrestuan dhe u ndaluan në stacion policor dhe gjatë ditës do të kalojnë para gjyqtarit për procedim paraprak.
Sipas Makfax, do të kërkohen masa për sigurimin e prezencës, ndërsa për momentin nuk dihet nëse do të jetë paraburgim, arrest shtëpiak apo konfiskim i dokumentit të udhëtimit.
Ish-kryetari i Komunës Qendër nga radhët e OBRM-PDUKM, Vladimir Todoroviq, është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe pastrim parash për monumentet në Shkup, pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka caktuar një konferencë për media për trajtimin e çështjes për projektin.
Policia Financiare para 5 vitesh ka bërë kallëzim penal ndaj tre personave, mes tyre edhe ish-kryetarin e Komunës Qendër, për vepra penale që kanë të bëjnë me ndërtimin e urës për këmbësorë “Oko”, e cila është pjesë e projektit “Shkupi 2014”



