
Lirimi i tre policëve të Kosovës të arrestuar në 14 qershor nga forcat serbe përbën një zhvillim të rëndësishëm drejt uljes së tensioneve në veri të Kosovës, e kërkuar me insistim nga komuniteti ndërkombëtar si mënyra e vetme për të shmangur probleme më të gjera e për t`i rikthyer palët në tryezën e dialogut.
Kryeministri Edi Rama ishte një prej zërave që i kërkoi Serbisë t`i thërrasë arsyes teksa e cilësoi mbajtjen e efektivëve në paraburgim si “mbajtje peng” ndërsa e kritikoi qëndrimin e Beogradit. Burime nga Brukseli pohojnë tani se Rama ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët e përfshira, europianët, amerikanët e serbët. Sipas tyre, kreu i ekzekutivit shqiptar ka ushtruar influencën e tij për lirimin e Rifat Zekës, Beqir Sefit dhe Mustafë Shemit, jo vetëm drejtpërdrejte me presidentin serb Aleksandër Vuçiç duke e pohuar edhe publikisht se çdo nisme rajonale do të kthehej në zero nëse policët nuk liroheshin, por edhe duke shfrytëzuar lidhjet e ngushta të Vuçiçit me kryeministrin hungarez Viktor Orban, i cili pak ditë më parë vizitoi Tiranën dhe njihet për marrëdhëniet e ngushta miqësore me kreun e shtetit serb.
Mësohet se ai është nxitur nga Rama për t`u bërë pjesë e negocimit me Vuçiçin. Tre policët dolën sot përpara gjykatës së Kralevës, e cila vendosi që ata ta organizojnë mbrojtjen e tyre në gjendje të lirë. Arrestimi i tre policëve shkaktoi reagimin e ashpër të Prishtinës, që vazhdoi të insistonte se efektivët e kufirit ishin rrëmbyer brenda territorit të Kosovës. Beogradi nga ana tjetër deklaronte se ishin kapur në tokën serbe.



