
Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua gjatë ditës së sotme me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Beograd, për të diskutuar mes tjerash edhe për situatën e përgjithshme të sigurisë në rajon.
Sipas komunikatës së KFOR-it, komandanti shprehu shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në komunat veriore të Kosovës pas ngjarjeve të 29 majit, kur disa paqeruajtës të KFOR-it u plagosën “gjatë sulmeve të paprovokuara të elementëve kriminalë të cilët depërtuan në protesta paqësore”.
“Pas takimit me presidentin, komandanti i KFOR-it pati rastin të takojë gjeneralin Mojsiloviq, shef i SHP të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ata rinovuan bashkëpunimin e tyre dhe ranë dakord se të gjitha palët duhet të de-përshkallëzojnë tensionet” – thuhet në komunikatën e KFOR-it.



