LajmeRajonTopLajm

Mbahet Konferenca e Para Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW, Kurti: Mirënjohje të thellë pë SHBA-në dhe USAID-in

Teksa sot u realizua një hap i rëndësishëm në arritjen e objektivave të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Energjisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Konferencën e Para Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW.

Sipas kryeministrit, ankandi i parë diellor që po pritet të krijohet në Kramovik ka potencialin të sigurojë energji elektrike për pothuajse 20,000 familje, projekt ky i cili hap rrugën drejt projekteve të mëtejshme të energjisë së rinovueshme në Kosovë.

“Kjo pasqyron angazhimin tonë për një axhendë kuptimplot të ndryshimeve klimatike, mirëqenien e qytetarëve tanë dhe kalimin tonë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme energjetike. Për më tepër, ne jemi në proces të finalizimit të Ligjit për Energjitë e Rinovueshme, i cili përfshin praktikat më të mira globale në industrinë e energjisë së rinovueshme dhe ofron siguri ligjore dhe rregullatore për investitorët e mundshëm”, tha Kurti.

Ai theksoi se investimi për ankandin e parë diellor përbëhet nga një marrëveshje mbi 200 milionë euro me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit për sistemet e ruajtjes së baterive, një marrëveshje ndërmjet Korporatës sonë Energjetike dhe General Electric për modernizimin e termocentralit “Kosova B”, dhe një marrëveshje prej 160 milionë euro me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të ndërtuar kapacitete të energjisë së rinovueshme.

Tutje, duke përmendur elementet që e bëjnë Kosovën një destinacion tërheqës për investitorët, sikurse afërsia e saj me tregjet evropiane, fuqia punëtore e aftë, dhe një kuadër i fuqishëm rregullator, kryeministri veçoi se synimi ynë është të inkurajojmë investimet private dhe të krijojmë një klimë të favorshme investimi, të cilat edhe janë shtytës kyçë për rritjen ekonomike.

Mirënjohjen e tij të thellë, kryeministri e shprehu edhe për ambasadorin Hovenier dhe Qeverinë e SHBA-së, si dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për mbështetjen e palëkundur në ndihmën e Kosovës në identifikimin dhe promovimin e potencialit të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Njëkohësisht, ai u nda i kënaqur edhe me punën e ministres Rizvanolli dhe ekipin e saj, të cilët kanë mundur të zhvillojnë këtë iniciativë dhe të krijojnë një proces të hapur dhe transparent tenderimi në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Konferenca e Para Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW u organizua nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me USAID./Arbresh.info/

Related Articles

Back to top button
Close
Close