
Për ata që mendojnë se rejtingu partiak matet me ‘like-pëlqime’ në rrjetet sociale!Seç më zuri veshi një ditë një vlerësim i dhënë e që lidhej në një farë forme me mua se kinse qenkam “i frustruar” dhe se qenkam rebel e prishkam qetësi në “shoqërimet e tyre të mbyllura”.
Dhe çka të thuhet ? Unë që e konsideroj veten e këtë e thonë edhe shumë shokë, miqë realë e virtualë, gjithandej si një njeri, një person që kauzën e angazhimeve, veprimeve, mundit e gjakimeve të mia e kisha të bazuar, e kam dhe vazhdoj ta kem në persosjen e parimeve etike e morale me ngjyrosje gjithë shoqërore e veçmas kombëtare!
Ndërkaq, edhe ndergjegja ime prej njeriu të formuar në ngritjen shkollore me përmasa në përpjestim të drejtë e të harmonishëm, të rregullt intelektuale mbruhet me frymën e principeve dhe objektivitetit prej qytetari. Kjo qytetari ka përmasa që përkojnë me ato të nivelesh rajonale dhe mbase edhe më gjerë, e lirshëm mund të thuhet se ka karakter evropian !
Aderimi im vullnetar në rrjedhën e proçeseve politike, bashkimi i mendimit në lëvizjet politike, më sakt në jetën politike, ishte me qëllim të një sprove serioze dhe sfiduese për të ndihmuar me ‘kaçikun’ tim të fuqisë shoqërore, morale, intelektuale e njerëzore. Dhe vjen koha të laj hesapet me vetveten dhe miqt e shokët e mi për të treguar “se hesapi i shtëpisë nuk del ma atë të çarshisë”! (Sic !)
Barabitem me shumë të tjerë dhe ndaj mendimin se ASH është partia te e cila pati aq besuesh-mëri e së cilës tani i bie rejtingu si rrjedhojë e futjes së paradokohshme në qeverisjen aktuale. Rënie e simpatisë dhe zbehja e dobësimi i besimit të qytetarit tetovar ndaj partisë paradokohësh opozitare, parasëgjithash i vjen nga mungesa e dukshme, mbase edhe e thekësuar, e demokracisë brenda partisë. Respektimi i zhvillimeve të organizimit të demokracisë brendapartiake nënkupton: respektin që e kanë udhëheqësit e partisë ndaj anëtarëve “të zakonshëm” të saj, të vjetër e të ri.
Demokracia brenda partisë gjithashtu nënkupton që grupi individual brenda-partisë duhet të jetë në gjendje të shpreh në një masë pikëpamjet me ndonjë dallim ndërveprues politik si dhe polemikat e tij në publik më të gjerë, gjithmonë në suazat e të lejueshmes dhe në kufijtë e politikëbërjes që janë përcakëtime programore. Një parti serioze dhe që në statutin e saj thirret në vlerat e demokracisë nuk duhet të trembet nga ballafaqimet e mendimeve dhe qasjeve të hapura që shpiejnë përpara si dhe të dallimeve në mendime për veprim tërësor.
Rastet e paraqitura si ‘konflikte’ herë-herë lënë të besohet se jenë një shenjë dobësie. Ndërkaq njëzëshmëria pa nuanca të vijës politike, ndryshimeve të holla ndërmjet dukurive në veprime politike, brenda partisë krijon oligarkinë partiake, thuhet në teoritë politike bashkëkohore.
Ndërkaq koha sikur po dëshmon se veprimi i një njëzëshmërie të mefshtë po del të jetë kundërproduktive. Ndërkohë që kjo parti hyri në qeveri apo morri pjesë të kulaçit qeverisës, gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve bartës veprimesh në poste nuk u respektua kriteri i duhur demokratik. Kësisoj, ndodhi edhe kësaj herë situata e ngritur mbi thënien : “do shkojë ashtu siç ka shkuar”! për fat të keq. Kjo gjë, me sa duket shkaktoi reagime, pakënaqësi e revoltë te strukturat partiake në qytetin e Tetovës.
Parimisht nuk u zbatua qasja e përzgjedhjes meritokratike nga “poshtë-lartë” edhepse shumë u dëshirua dhe u prit një veprim i tillë. Pra edhe aderimi im në një subjekt konsistonte në sinergjinë intelektuale dhe empirike, e sidomos satisfaksioni i pervojave në bashkëndjesinë dhe detyrimin moral ndaj vakumeve kohore e vendore.
Të sakrifikosh nga ‘dylymet kohore’ të orës për pjesëmarrje në çfarëdo një subjekt, ka domethënien e përgjegjësisë dhe përshfaqjes publike të integritetit. Integriteti është formula e sotme e cilësisë së ardhmërisë dhe e së nesërmes. Nuk arrijmë dot pa përmbushje të kushtit të objektives dhe nivelit të dëlirësisë së idealit, ta çojmë përpara shoqërinë dhe të ngrisim në nivele qeverisjen për mirëqenie të qytetarit! Mbase, e kundërta është ajo që kushtëzon sërish riciklimin shterpë e të dëmshëm për qeverisje pa ndryshime që i kërkon koha e që janë kompatibël e në hap me standardet e Bashkimi Evropian pjesë e të cilit mëtojmë të jemi edhe ne!
Mislim Zendeli
Tetovë, 8 maj 2023



