
Duket se është shndërruar në një konflikt aktesh sabotazhi, i ashtuquajturi operacion special i Rusisë në Ukrainë që tashmë zgjat prej 435 ditësh.
Palët po hedhin mjete fluturuese të kontrolluara në distancë karshi njëra-tjetrës, të mbushura me eksploziv, që po shkaktojnë dëme të mëdha në infrastrukturë.
Pas sulmit të pretenduar në muret e Kremlinit, një tjetër dron u rrëzua nga mbrojtja ruse pranë bazës ushtarake në Sebastopol. Shpërthimi i tij në ajër nuk shkaktoi dëme dhe as të lënduar.
Zv/kryeministri Mykhailo Fedorov deklaroi më herët gjatë ditës, se Ukraina tashmë ka gati 10 mijë operatorët të stërvitur për drejtimin e dronëve, në kuadër të projektit për krijimin e “Ushtrisë së Dronëve”.
“Momentalisht, kemi përfunduar pjesën e parë të projektit, atë të stërvitjes së pilotëve. Gjatë kësaj periudhe, kemi stërvitur 10 mijë ushtarë”, tha mes të tjerash Fedorov.



