LajmeRajon

Telefonata e Chollet e deklarata e Lajçak pak para takimit të 2 Majit, ndërkombëtarët kërkojnë themelimin “urgjent” të Asociacionit

Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Collet, pak ditë para takimit të 2 majit në Bruksel, ka thënë se është nevojë urgjente themelimi i Asociacionit  të komunave me shumicë serbe, derisa shtoi se pret takim konstruktiv më 2 maj, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Këtë deklaratë Chollet e bëri në Twitter pas bisedës telefonike që kishte me presidentin serbe, Aleksandar Vuçiq.

“Pata bisedë thelbësore, pozitive me presidentin Vuçiq sot. Ramë dakord për fuqinë e vazhdueshme të partneritetit ShBA-Serbi dhe fokus të përbashkët në përparimin në dialog, veçanërisht nevojën urgjente për të formuar Asociacionin. Ne presim një takim konstruktiv më 2 maj në Bruksel”, ka shkruar Chollet në Twitter gjatë ditës së djeshme.

Po dje, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak në një intervistë dhënë për mediumin sllovak “Dennikn” ka thënë se thelbi i Marrëveshjes së Ohrit ka qenë që Serbia të shpërbënte strukturat paralele në Kosovë, si policinë dhe gjyqësorin, e që sipas tij një gjë e tillë u bë, ndërsa anën tjetër, Kosova ai thotë se nuk e formoi Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Lajçak thotë se është e rëndësishme që në takimin e 2 majit në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të Asociacionit, ku do të prezantohet drafti për statutin, që sipas tij është hapi i parë i detyrueshëm i Kosovës.

“Thelbi i asaj marrëveshjeje ishte se Serbia nga njëra anë do të shpërbënte strukturat paralele në Kosovë, kryesisht policinë dhe gjyqësorin, të cilat më pas do të bëheshin pjesë e sistemit juridik të Kosovës. Dhe në anën tjetër, Kosova do të krijojë një Bashkësi të komunave serbe. Pjesa e parë ndodhi, e dyta jo. Nuk dua të shkoj në të kaluarën dhe të vlerësoj pse ndodhi”, tha Lajçak.

“Për mua është e rëndësishme që më 2 maj kemi një takim të planifikuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, ku në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të këtij komuniteti. Do të prezantohet drafti i statutit të saj, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, shtoi Lajçak.

Përfaqësuesi special i BE-së, ka thënë se lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do t’i përmbahet modeleve evropiane, dhe për të është e rëndësishme që më në fund të kuptohet se cilat janë kompetencat e tij.

“Qëllimi është përcaktimi i statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe të pakicës serbe në Kosovë. Ne e shohim këtë si një mundësi për të qartësuar disi marrëdhëniet ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë të definohet roli i Serbisë në mbështetjen e serbëve të Kosovës. Është një temë e ndjeshme, flitet shumë për të, por për mua është e rëndësishme që më në fund të fillojmë të përcaktojmë se çfarë do të thotë komuniteti, cili do të jetë statusi i tij, cilat do të jenë kompetencat e tij. Ne do t’i përmbahemi modeleve ekzistuese evropiane”, tha Lajçak gjatë ditës së djeshme.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar dje se ministri Elbert Krasniqi e ka ftuar në takim ekipin menaxhues për draft-statutin e Asociacionit, por ata nuk i janë përgjigjur.

Kurti po ashtu ka thënë se deklaruar se ndërmjetësit evropianë duhet t’i bëjnë trysni Serbisë, meqë sipas tij shenjat për konstruktivitet nga ana e saj, nuk janë të mira.

Kurti po ashtu ka deklaruar se në takimin e 2 majit në Bruksel pret që çështja e të pagjeturve të trajtohet me urgjencë, ashtu siç ishte premtuar në Ohër më 18 mars.

Ai ka nënvizuar se shenjat nga pala serbe nuk janë të mira, por ka thënë se me këtë duhet të merret Bashkimi Evropian.

“Unë kërkoj që teksti i dakorduar tashmë të shndërrohet në marrëveshje, sa i përket Kosovës dhe ne gjithçka është e qartë dhe e garantuar, por ndërmjetësit evropianë do të duhej të bënin trysni mbi palën tjetër. Shenjat nuk janë të mira për konstruktivitet kur dimë që pikërisht në Batajnicë në varrezën masive ku nuk ka asnjë pllakë, asnjë shënim që aty ka pasur dikur varrezë masive, organizohet paradë ushtarake e ku ftohen edhe kriminelët serbë nga veriu i Kosovës, edhe lideri seperatist e destruktiv i serbëve të Bosnjës, Dodjik. Këto shenja nuk janë të mira, mirëpo me palën tjetër nuk do të mund merremi ne sepse nuk kemi juridiksion mbi Beogradin, këtë duhet ta bëjë Bashkimi Evropian”, ka thënë Kurti.

E gjatë ditës, edhe Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, ka publikuar tri vendime të qeverive të kaluara për “Ekipin menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se të martën e kaluar, me 18 prill, si ministër i është drejtuar me ftesë për takim këtij grupi, për të cilën nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ju njoftoj se të martën me 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjera, teksa ka publikuar edhe ftesën që iu ka dërguar.

BE ka bërë të ditur se takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillohet më 2 maj në Bruksel.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për aneksin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si Plani franko-gjerman.

Related Articles

Back to top button
Close
Close