
“Rusia po përqendron përpjekjet kryesore në kryerjen e operacioneve sulmuese në Bahmut, Avdijivka dhe Marjinka, ku forcat ukrainase kanë zmbrapsur 39 sulme ruse në 24 orët e fundit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.
“Luftime të ashpra po vazhdojnë në Bahmut dhe Marjinka”, tha ushtria.
Trupat ruse kanë kryer 49 sulme me raketa dhe 13 sulme ajrore ndaj pozicioneve ukrainase dhe infrastrukturës civile, tha Kievi.
Sulmet e vazhdueshme ruse po ashtu kanë sulmuar fshatin Klishçivjivka, që gjendet rreth 10 kilometra në jug të Bahmutit.
Bahmuti ka qenë epiqendër e një beteje disamujore mes forcave ruse dhe atyre ukrainase.
Në rajonin jugor të Zaporizhjës, ku gjendet centrali më i madh bërthamor në Evropë, gjatë natës janë lëshuar alarmet paralajmëruese për sulme ajrore.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë raportuar se janë dëgjuar disa shpërthime, që me gjasë janë shkaktuar nga sulmet me dronë të prodhimit iranian, Shahed.
Forcat ruse, që kanë nën kontroll centralin bërthamor, rregullisht granatojnë pjesë të rajonit të Zaporizhjës, që ende janë nën kontrollin ukrainas.



