
Organizata për Dialog dhe Afirmim të Gjimnazistëve dhe Nxënësve “ODAS” realizuan takim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për të paraqitur kërkesën për shkurtimin e materialit për provimin e maturës shtetërore ose uljen e numrit të provimeve të brendshme. Ata paraprakisht zhvilluan një protestë para Ministrisë së Arsimit, së cilës iu bashkuan edhe studentët e organizuar nga lëvizja “Rezistenca Studentore”, të cilët potencuan problemet e tyre.
“Kaluam mësimin online, kërcënimet me bomba, grevat e mësuesve që kemi mbështetur, grevat e JSP-së që vështirësuan ardhjen e nxënësve në shkollë. Të gjithë këta faktorë do të ndikojnë patjetër në dhënien e provimit të maturës shtetërore. Jemi brezi më i dëmtuar dhe nuk kemi pasur një vit të tërë shkollor të pandërprerë. Na thuhet se ka material të shkurtuar, por ne nuk kemi njohuri. Ne presim një takim me ministrin Shaqiri dhe është paralajmëruar për sot.”, – deklaroi Anisia Ugrinovska nga “ODAS”.
“Qëllimi i kësaj proteste është që Qeveria nuk po dëgjon problemet tona. Kërkojmë rritje të shumës së racionit të subvencionuar të studentëve, respektim të afateve të pagesës për racionin e subvencionuar që vonohet pas një muaji dhe për bursat që vonohen gjashtë muaj. Na kanë gënjyer për përmirësimin e kushteve në konviktet e studentëve dhe nuk ka asgjë nga rinovimi, kushtet janë ende katastrofale.”, – theksoi Teodora Naumovska nga “Rezistenca studentore”.
MASh, takimet me nxënësit do të vijojnë, do të ketë pyetje më të rëndësishme nga materiali
Pas takimit MASH-i kumtoi përmes komunikatës me shkrim se çfarë është arritur nga takimi.
“Pyetjet do t’i referohen ekskluzivisht aspekteve, të dhënave dhe informacioneve më të rëndësishme nga materiali që nxënësit kanë përvetësuar në katër vitet e arsimit të mesëm. Një mundësi më e lehtë u dha edhe dy vite më parë, kur u vendos që në vend të tre lëndëve të jashtme dhe një të brendshme, maturantët do të merrnin dy lëndë të jashtme dhe dy të brendshme, koncept sipas të cilit maturantët e këtij viti do t’i nënshtrohen maturës. Datat e dhënies së provimeve janë të përcaktuara në Kalendarin për organizimin e punës së shkollave të mesme publike në vitin akademik 2022-2023 dhe nxënësit kanë kohë të mjaftueshme për të rikujtuar atë që ka kaluar dhe mësuar.”.
Ministria e Arsimit paralajmëron se do të organizojë takime edhe me Unionin e Gjimnazistëve si dhe me institucione të tjera të përfshira në këtë proces.



