Në kërkesë thuhet: “Duke marrë parasysh rëndësinë kombëtare të Ditës së Alfabetit Shqip, kur në një periudhë të vështirë historike, në qytetin e Manastirit, në vitin 1908 u tubuan atdhetarët më eminentë të çështjes kombëtare nga të gjitha trojet etnike; faktin e pamohueshëm se Kongresi i Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, kongres në të cilin u vunë bazat e shkrimit shqip; se ndryshoi qasja dhe perceptimi për rëndësinë e çështjes kombëtare; rolin e tij në ruajtjen e identitetit shqiptar, pikërisht falë shkrimit të njësuar shqip; Senati i Universitetit të Tetovës ka miratuar njëzëri Propozimin që, 22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore edhe në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës”.
Më tej, në kërkesën e lartpërmendur, drejtuar institucioneve dhe autoriteteve të Shqipërisë dhe të Kosovës, theksohet se me këtë akt (shpalljen e Ditës së Alfabetit shqip – festë shtetërore) qeveritë Tuaja do të dëshmonin për një sensibilizim të gjithëmbarshëm kombëtar dhe do ta nderonin veprën e çmuar dhe kolosale të të parëve tanë, të cilët nuk e kursyen kontributin e tyre, me të vetmin qëllim që, gjeneratë pas gjenerate populli ynë t’i gëzohet një unifikimi gjuhësor dhe shkronjat shqipe të jenë të mirëvendosura në themelet tona kombëtare.
Nga Universiteti i Tetovës veçojnë se, ruajtja dhe forcimi i identitet shqiptar në Shqipëri u bë me hapjen e Universitetit të Tiranës, në Kosovë me themelimin e Universitetit të Prishtinës, kurse te ne në Maqedoninë e Veriut me themelimin e Universitetit të Tetovës, në vitin 1994. Në përmbyllje të kësaj shkrese zyrtare drejtuesit e këtij institucioni sjellin në vëmendje rrethanat, në të cilat u themelua Universiteti i Tetovës, që ishin po aq komplekse me rrethanat e mbajtjes së Kongresit të Manastirit. “Të vetëdijshëm për rolin që ka Universiteti ynë në avancimin e proceseve historike, debatin që zhvillohet në këtë arenë të intelektualëve shqiptarë në vendin tonë dhe jo vetëm, ku gërshetohet diversiteti arsimor, shkencor e kulturor, kërkesa e sipërpërmendur ka për qëllim formësimin e vizionit tonë gjithëkombëtar. Mbetemi me shpresë se do ta shqyrtoni Propozimin e Senatit të Universitetit të Tetovës, dhe të njëjtin do ta miratoni”- theksohet në kërkesën e Senatit të Universitetit të Tetovës.
Propozim i njëjtë i është dërguar Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë edhe në të kaluarën, përkatësisht në muajin mars 2014, si dhe në dhjetor të vitit 2020.