
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, do të vendos sot për regjistrimin e Partisë Socialiste, Bindjes Demokratike, LZHK-së, Partisë së Lirisë dhe mbi të gjitha se cila palë do të përfaqësojë PD-në në zgjedhjet e 14 majit.
KQZ do të vendosë se cili prej kampeve, i Alibeajt apo i Berishës do të regjistrohet për të garuar përballë të tjerëve në zgjedhjet vendore.
Në rendin e ditës së KQZ-së janë përfshirë të dy kërkesat me dy vula dhe dy kryetar; njëri nga Sali Berisha dhe tjetri nga Enkelejd Alibeaj si kryetar i autorizuar. Për rastin e Berishës, pak gjasa ka që të regjistrohet për sa kohë që Apeli në vendimin e tij e konsideronte palën përfaqësuese nga Berisha si komisioni i Rithemelimit dhe palën tjetër të Alibeajt ai PD-ja zyrtare.
Sot gjithashtu pritet të miratohet kërkesa e regjistrimit për 7 parti, përfshi edhe të mëdhatë, ndërsa një ditë më parë u miratua për 42 të tjera.
Pas këtij regjistrimi paraprak, në 15 mars aplikohet për koalicionet dhe më pas, më 27 mars depozitohet lista e kandidatëve për kryetar bashkie dhe lista shumë-emërore e kandidatëve për këshillat bashkiak sipas përkatësisë së koalicionit apo partisë. Më pas hidhet shorti për renditjen në fletët e votimit. Në prill pritet dhe shpërndarja e fondeve vjetore, por edhe për fushatë.
Më 14 prill nis zyrtarisht fushata. 13 maji është heshtje zgjedhore dhe 14 maji dita e votimit.



