
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Në emër të Qeverisë së Republikës dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti i shprehu edhe njëherë ngushëllime Presidentit Erdogan, e përmes tij, familjarëve të viktimave të tërmetit dhe mbarë popullit të Turqisë.
Gjithashtu ai falënderoi Presidentin Erdogan për mikpritjen zemërgjerë në Stamboll me datën 3 shkurt, ku patën një takim tejet produktiv që do të shërbejë për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe miqësisë së përhershme në mes të dy vendeve tona.
“Së fundi edhe ndaj ukrainasve e afganëve. Kosova është dhe gjithmonë do të vazhdojë të qëndrojë pranë shteteve mike në ditët e tyre të vështira, posaçërisht Turqisë”, ka thënë ai.
Presidenti Erdogan falënderoi kryeministrin Kurti për solidarizim të plotë me shtetin dhe popullin Turqisë e cila po kalon fatkeqësinë më të rëndë në këtë shekull. Ai falënderoi për vendimin për mbështetje dhe ndihma, për pjesëtarët e FSK-së që bënë kërkim-shpëtim në rrënoja si dhe për shpalljen e ditës së zisë në Kosovë.
“U bisedua edhe për takimin e fundit në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çfarë Presidenti Erdogan përshëndeti rezultatin e arritur, duke shprehur mbështetjen e tij kryeministrit Kurti dhe gatishmërinë për të ndihmuar”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.



