
Avokati në rastin Dehari, Tomë Gashi shprehet i bindur se deputeti Haki Abazi nuk ka prova të reja për rastin Dehari.
Ai ka thënë se konferenca mund të jetë organizuar për goditje politike.
“Mendoj që Haki Abazi nuk është dashur të flasë për rastin e Astrit Deharit nëse nuk ka diçka konkrete që nuk e ka prokuroria. Absolutisht nuk ka kurrgjë hiç për shkak se nuk ka çka me pasë. Është rast tepër i ndishëm dhe nuk duhet askush ta politizojë. Nëse dikush apo zoti Abazi ka informata apo çfarëdo lloj provash e ka obligim ligjor që ato t’i dërgojë në prokurori. Jo për spektakle mediale pastaj për goditje të subjektit të vet”, ka thënë Gashi.
Ai ka deklaruar se mostrat e zhdukura të Astrit Deharit po ruheshin me numra dhe vetëm persona të caktuar e dinin se të kujt ishin.
Sipas tij dikush i ka zhdukur mostrat me qëllim ta godasë ministren Haxhiu apo drejtorin e ardhshëm në IML.
“Nuk ka njeri në botë që i zhduk mostrat me qëllim të mirë. Qëllimi është për ta goditur zonjën Haxhiu apo për ta goditur dikë që ka pas të zgjidhet drejtor apo drejtoreshë e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Në kushte normale nuk mundet me mendu që dikush hyn në institut të vetin, se aty ka kamera të sigurisë, tash policia e run”, ka shtuar Gashi.



