
Sherri që përshkallëzoi në përleshje fizike mes deputetëve në parlamentin e Serbisë një ditë më parë, kur diskutohej për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, për deputetin shqiptar atje Shaip Kamberi, tregon retorikën serbe të viteve ’90, që nuk do të njohë realitetin e Kosovës.
“Isha dëshmitar i një seance me përleshje fizike, por brengosëse është se në Serbi kemi retorikë të viteve 90. Nuk ka sens për realitetin në Kosovë, nuk ka sens për domosdoshmërinë e pajtimin historik me Kosovën dhe për ta njohur realitetin atje. Opozita si ajo e djathtë dhe ajo proevropiane, ishte me tone të njëjta dhe të krijohet ideja se Vuçiq është më demokrat se ata. Seanca e djeshme ka kthyer Serbinë në kohën e Millosheviçit dhe andrallat e tyre se Kosova është pjesë e Serbisë”.
Kamberi për A2 CNN tha se Vuçiqi ka frikë nga opozita dhe nuk ka guximin të flasë dhe t’u tregojë serbëve të vërtetën për Kosovën dhe krimet që kanë ndodhur atje.
Deklaratat për një dorëheqje të mundshme të Vuçiqit, Kamberi i quan lojë politike brenda partisë së tij, që kanë vendosur të heshtin pavarësisht pëlqimit të planit franko-gjermam.
“Është një taktikë brenda partisë së tij dhe partnerët e koalicionit. Nuk është hera e parë që ofron dorëheqjen dhe kjo është një lojë politike për lojërat e brendshme. Duket sikur është i kënaqur me planin franko-gjerman por për momentin janë vendosur të heshtin”.



