
Presidenti i Ukrainës ka falënderuar liderët perëndimorë për dërgimin e tankeve për të dhënë mbështetje në luftën kundër Rusisë, por tha se ato duhet të dorëzohen shpejt.
Në fjalimin e tij të natës, Volodymyr Zelensky i kërkoi gjithashtu Perëndimit të dërgojë raketa me rreze të gjatë dhe aeroplanë luftarakë, shkruajnë mediat e huaja.
Komentet e tij erdhën pasi SHBA dhe Gjermania njoftuan se do të dërgonin tanke Abrams dhe Leopard në Ukrainë.
Dhe Rusia e vlerësoi njoftimin si një “provokim të hapur” dhe tha se çdo tank i furnizuar do të shkatërrohej.
Tanket do të “digjen si gjithë të tjerët”, tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin. “Ato janë thjesht shumë të shtrenjta”.
Zelensky ka treguar se i tha Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se “duhet bërë përparim në aspekte të tjera të bashkëpunimit tonë të mbrojtjes” – me Ukrainën që kërkon furnizime me raketa me rreze të gjatë dhe artileri.
Ndërsa Zelensky ka të ngjarë të përqendrohet tani në pajisjen e forcave ajrore të Ukrainës me aeroplanë luftarakë më të avancuar teknologjikisht pas sigurimit të tankeve, shumë qeveri perëndimore mbeten kundër një lëvizjeje të tillë – nga frika se aeroplani mund të përdoret për të goditur objektivat brenda Rusisë.
Në fjalimin e tij në Bundestag në Berlin të mërkurën, duke përshkruar detajet e planit të tankeve, kancelari gjerman Olaf Scholz këmbënguli se “nuk do të ketë dërgesa aeroplanësh luftarakë në Ukrainë”.
Vendimi për dorëzimin e tankeve u njoftua disa orë pasi Gjermania tha se do të dërgonte 14 Leopard 2 të saj në fushën e betejës ukrainase.
Berlini hapi gjithashtu rrugën për vendet e tjera evropiane për të dhuruar tanke të prodhimit gjerman nga rezervat e tyre.



