LajmeRajon

Kurti: Kriza nuk mund të përfundojë derisa Kosova e Serbia kanë raporte jonormale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se krizat nuk mund të mbarojnë përderisa Kosova e Serbia vazhdojnë të kenë marrëdhënie jonormale.

Prandaj, Kurti thekson nevojën e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.

Kurti ndër të tjera, thotë se krizat ekzistojnë, për arsye se strukturat ilegale që ekzistojnë në Kosovë që nga 1999, së fundmi janë shndërruar në banda kriminale, dhe këtë Kurti thotë se e dëshmon edhe ngritja e barrikadave.

“Kriza nuk ka mbaruar sepse Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëdhënie normale. Ne kemi nevojë për marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me në qendër njohjen reciproke.

Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën. Ne kemi nevojë për njohje reciproke. Në anën tjetër, kriza nuk ka mbaruar sepse strukturat ilegale të Serbisë që janë atje që nga 1999 së fundmi janë shndërruar në banda kriminale, të cilat ngritën 16 barrikada në veri. Agresiviteti i tyre që është rritur është shprehje direkte e panikut të tyre, sepse e dinë se sundimi i ligjit në Republikën tonë është më i fortë dhe kurrë dhe është frika e tyre që i ka bërë të ngrisin këto barrikada dhe pastaj t’i heqin ato”, u shpreh Kurti për Al Jazeera.

Ai po ashtu është pyetur nëse i ka dhënë Serbisë ndonjë garanci për mos-arrestim të serbëve apo për të mos çuar forca në veri të Republikës së Kosovës.

Kurti ka thënë se sigurisht që s’i ka dhënë Serbisë asnjë garanci.

Në këtë intervistë kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se s’mund t’iu japë premtime e garanci kriminelëve që kanë urdhër arrest e që janë në listë të zezë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

“Sigurisht që jo. E vetmja garanci që japim si qeveri demokratike është barazi për të gjithë qytetarët. Kushtetutshmëri në gjithë komunat, në gjithë territorin. Rritje ekonomike dhe mirëqenie sociale që nuk e përjashton askë. Premtime dhe garanci demokratike. Unë s’iu japë premtime dhe garanci kriminelëve që kanë urdhër arrest apo që janë në listë të zezë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe”, ka thënë Kurti.

“Sigurisht që jo. Unë s’mund të garantoj diçka që është jashtë apo kundër ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës”, ka shtuar Kurti.

Related Articles

Back to top button
Close
Close