
Patëm mundësi ta dëgjojmë kryetarin. Ishte një paraqitje korrekte, por mendojmë më tepër bazohej në konstatime pa mos ofruar zgjidhje konkrete.
Pajtohemi me konstatimin e presidentit se për situatën e pavolitshme përbrenda shtetit fajtor jemi vet ne dhe nuk duhet të kërkojmë nga faktorët e jashtëm.
Poashtu, pajtohemi me faktin se nëse besueshmëria ndaj institucioneve është në nivel shumë të ulët, kjo do të thotë se na është rrezikuar edhe demokracia në shtet.
Pajtohemi me faktin se lufta në Ukrainë na bindi se Marrëveshja e Prespës ka qenë një marrëveshje e mirë dhe ishte një hap shtesë për sigurinë e shtetit.
Poashtu, pajtohemi me faktin dhe me qëndrimin se suporti ndaj Ukrainës të mos mbetet verbal dhe në gjuhë diplomatike.
Për sa i përket konstatimit se agresioni në Ukrainë e ndryshoi qasjen evropiane,dhe se u zgjuan edhe institucionet në Bruksel, presidenti vetëm bëri apel që Ballkani Perëndimor dhe shteti ynë si pjesë e saj, të mos mbetet vetëm vend episodik, por të merret seriozisht.
Vërejtja jonë është se një president shteti duhet të jetë pak më largpamës dhe mos të bëjë vetëm apel.
Në kohën kur bota po ndryshon, kur Evropa më nuk është një kopsht i lulëzuar, ku qëndrojnë spektatorët që shohin nga larg ndryshimet, pra, në kohën kur liderët kryesorë në Evropë po thonë se mirëqenia e Evropës si pasojë e agresionit Rus në Ukrainë më nuk bazohet nga çmimi i lirë i energjisë që importohej nga Rusia dhe
nga çmimi i lirë i tregut kinez dhe si pasojë duhet kërkuar mënyra tjera për energji nga brenda BE-së, sepse siç thonë ata në deklaratat e tyre energjia më e mire është ajo që prodhohet brenda shtëpisë tënde, e cila gjë do të implikojë rikonstruim të madh ekonomik brenda Evropës, nga ana e presidentit nuk dëgjuam asnjë opinion se si do të jetë pozicioni ynë si shtet. A kemi strategji dhe plan, se cilat janë resurset apo ofertat tona për të kontribuar dhe rrjedhimisht edhe përfituar nga ripozicionimi i ri në Evropë. Nëse nuk kemi asnjë ofertë, asnjë
strategji, atëherë çfarë parnteriteti do t’u ofrojmë aleatëve me të cilët synojmë të vazhdojmë aleancën. Presidenti patjetër të ketë vizion për një gjë të tillë. Në të kundërtën askush nuk do na konsiderojë si aleatë serioz. Aleanca nënkupton një lloj partneriteti. Fatkeqësisht, sjellja jonë nuk është sjellje e një partneri në
aleancën e përgjithshme evropiane.
Ne pjesën ku konstaton se institucionet duhet ta çrrënjosin korrupsionin, mendojmë se presidenti duhet të ofrojë disa hapa konkret dhe jo vetëm konstatim. Presidenti e përmendi edhe angazhimin e ShBA, por në periudhën kur prioritet i prioriteteve i angazhimit të ambasadores se ShBA-ve do të jetë lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe llogaridhënia nga të korruptuarit në kuadër të strategjisë presidencale për të luftuar korrupsionin në vendet partnere për të jetësuar memorandumin e Presidentit Bajden të lëshuar me 3 qershor të
vitit 2021 se lufta kundër korrupsionit është interes thelbësor i sigurisë kombëtare amerikane, në fjalimin e Presidentit Pendarovski nuk u potencua se çka është strategjia e presidentit të shtetit për të kontribuar në jetësimin e kësaj strategjie.
Te ne, fatkeqësisht, presidenti i vendit dezerton nga lufta kundër korrupsionit kur para disa ditëve tha publikisht se nuk kemi kapacitete për veting me këtë brum që kemi në sektorin e drejtësisë. Te ne, sipas statistikave të publikuara gjatë javëve të fundit, drejtësia nuk ka shqyrtuar asnjë nga 58 rastet e parashtruara nga
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në 4 vitet e fundit dhe ka zgjidhur vetëm 0.015% të rasteve të korrupsionit. Thënë shkurt, shteti i së drejtës ka kapituluar dhe ne nuk kemi një qëndrim konkret të presidentit të shtetit. Nuk mundet presidenti të thotë se se nuk kemi kapacitet për veting dhe vetëm të
thotë se institucionet duhet ta çrrënjosin. Kjo është e papranueshme.
Ndërsa, për pjesën se po bisedon me të rinjtë, ne i themi mos bisedo, por ofro mundësi. Në mospasje të mundësive që të rinjtë të vijnë në shprehje kemi këtë migrim masiv që rrezikon që në vitin 2050 jo të përgjysmohemi, por të zvogëlojmë popullatën pesëfish.



