LajmeMaqedoniTopLajm

Investimet kapitale në pr/buxhetin 2023, Petrushevski: Do të shkurtohen me rebalancin e parë

Deputet vazhduan diskutimin pro dhe kundër pr/buxhetit për vitin 2023. Projektimi i investimeve kapitale dhe realizimi i tyre ishte një nga debatet që u zhvilluan mes pushtetit dhe opozitës në ditën e tretë të diskutimit të arkës shtetërore për vitin e ardhshëm. Sipas deputetëve të opozitës së kryesuar nga VMRO DPMNE, projektimi i investimeve kapitale në buxhetin fillestar është sa për sy e faqe. Ai ose pëson zvogëlim në rebalancin e parë ose nuk realizohet mjaftueshëm.

“Do të ketë rebalans të buxhetit, do të shkurtohet zëri për shpenzime kapitale dhe do të vijmë diku te 50-60% të realizimit të investimeve kapitale, siç është edhe tani. Unë flas për realizimin në buxhetin bazë. Është katastrofë krahasuar me atë që keni projektuar. E njëjta gjë na pret edhe vitin e ardhshëm, një katastrofë në pjesën e realizimit të këtij buxheti të parashikuar.”, – theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.

Shumica parlamentare hedh poshtë pretendimet e opozitës. Sipas tyre projektimet buxhetore për investime kapitale janë reale, ashtu si në vitet paraprake do të investohet në projekte të rëndësishme infrastrukturore.

“Investimet kapitale janë 800 milionë euro, ndërsa në vitet paraprake realizmi ka qenë: në vitin 2019 79%, në vitin 2020 realizmi i investimeve kapitale ka qenë 85% dhe në vitin 2021 janë realizuar 385 milionë euro, përkatësisht 78%.”, – u shpreh deputeti i LSDM-së, Kole Çarakçiev.

Ndër investimet kapitale për vitin 2023 parashihet vazhdimi i ndërtimit të Korridorit 8 dhe autostrada Strugë – Qafë Thanë, ndërtimi i Korridorit 10D, zgjerimi i rrugës Tetovë-Gostivar; ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, segmenti rrugor Prilep-Manastir, ndërtimi i hekurudhës nga Kriva Palanka për në Bullgari dhe shumë projekte të tjera infrastrukturore. Investime kapitale parashihen edhe në infrastrukturën energjetike, në fushën e ujësjellësit dhe infrastrukturës komunale si dhe në fushën e arsimit, mbrojtjes sociale dhe jurisprudencës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close