
Sipas hulumtimeve të bëra nga organizata joqeveritare QMBN, niveli i tolerancës në Maqedoni është shumë i ulët. Sociologët, fajtorë kryesor për këtë fenomen e shohin sistemin e dobët arsimor, paragjykimet në familje, dhe mesazhet që përcillen nga politikanët.
Sipas hulumtimeve të bëra nga organizata joqeveritare QMBN, niveli i tolerancës në Maqedoni është shumë i ulët. Përqindjet e dalura nga ky hulumtim janë shqetësuese pasi 50% e qytetarëve në Maqedoni nuk duan të kenë fqinj që i përkasin komunitetit etnik rom, dhe po aq nuk dëshirojnë që afër tyre të jetojnë emigrantë, persona me aftësi të kufizuar apo anëtar të grupeve subkulturore. Rreth 91% e qytetarëve janë përgjigjur gjithashtu se nuk duan të jetojnë afër dikujt që është i varur nga alkooli, ndërsa për rreth 80% e tyre është e papranueshme të jetojnë në afërsi të dikujt që i përket grupit të LGBTI-së. Rezultatet e hulumtimit të QMBN tregojnë një tolerancë të ulët të qytetarëve në Maqedoni, edhe pse për shumicën prej tyre nuk përbën problem të madh nëse jetojnë afër dikujt që i përket një besimi tjetër fetar, orientim të ndryshëm politik, apo nëse afër tyre jeton një çift i pamartuar. Sociologët vlerësojnë se fajtor kryesor për nivelin e ulët të tolerancës është procesi arsimor. Profesori Ilija Acevski thotë se duhet të punohet për përmirësimin e këtij perceptimi. “Kur shoqëria hynë në një krizë të hapur që prek të gjitha segmentet, kur keni marrëdhënie të paqëndrueshme politike, dhe atëherë kur tjetri është ndryshe nga ju fillon të përjetohet në mënyrë të deformuar, atëherë tek individi fillon të krijohet një imazh i tillë, i përgjithshëm dhe atij fillojnë t’i pengojnë shumë gjëra të cilat nuk janë të rrezikshme për jetën e tij, por ai përjashton ata që kanë mendime ndryshe nga ai”, shprehet Acevski.
Ky hulumtim nga QMBN vuri në dukje gjithashtu se toleranca është më e madhe tek moshat e vjetra. Sa ju përket grupmoshave, është e theksuar ajo se me rritjen e moshës, të anketuarit në një përqindje më të madhe duan të jetojnë pranë këtyre grupeve të përmendura, me përjashtim të personave të varur nga droga, alkooli, dhe komuniteti LGBTI. Profesori Faton Murseli nga Departamenti i Sociologjisë në UT, shprehet se duhet të punohet në përmirësimin e komunikimit dhe mirëkuptimin e ndërsjellë të njerëzve në shoqëri. “Duhet të punohet për heqjen e barrierave për grupe të caktuara, të margjinalizuara. Ne nuk duhet të largohemi nga ata, por duhet t’i ndihmojmë dhe t’i kuptojmë. Komunikimi social është më i rëndësishmi dhe duhet punuar si në familje ashtu edhe në shkollë. Në përgjithësi, toleranca e ulët tregon se duhet të punohet ende në arsim, dhe se duhet të mësojmë të sillemi si njerëz të civilizuar”, tha Murseli.
Nivel të ulët tolerance, qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë treguar edhe më herët. Para disa vitesh, banorët e Vizbegut protestuan kundër objektit për përkujdesje të fëmijëve me probleme arsimore dhe sociale. Sociologët thonë se duhet të punohet më shumë në ndërgjegjësimin e zbulimit të vlerave të përbashkëta dhe respektimin e dallimeve. Në anketë, qytetarët janë përgjigjur edhe për atë se cilat organizata më së shumti ndihmojnë në mbështetjen e nevojave personale dhe të komunitetit. Rreth një e katërta kanë vlerësuar se janë Sindikatat ato që më shumë ofrojnë mbështetje si për ta personalisht, ashtu edhe për komunitetin. Partitë politike si mbështetësi më i madh i nevojave personale dhe komunitetit shihet nga çdo i pesti qytetar. “Kur një i ri dëgjon gjuhën e urrejtjes tek politikanët, etiketimet që bëjnë për persona tjerë, merreni me mend se çfarë mendon ai për komunitetin në të cilin jeton. Është e tmerrshme situata në të cilën po jetojmë. Përderisa tjetri që është politikisht ndryshe nga ju quhet me termat më nënçmues. Si do të ndërtoni tolerancë? Nëse unë i përkas një partie e cila duhet të mbrojë interesat e mia, atëherë ai i cili i përket një partie tjetër duhet të mbrojë interesat e tij, dhe ai është armik për mua”, thotë Acevski.
Nga ana tjetër, Murseli thekson se Maqedonia si vend kandidat për anëtarësim në BE, duhet të tregojë mirëkuptim më të madh dhe të dëshmojë se i respekton vlerat evropiane. “Hyrja në BE nuk është vetëm plotësim i kushteve teknike, si harmonizimi i ligjeve tona me BE-në. Është i rëndësishëm edhe progresi kulturor që duhet të tregojmë. Qytetarët tanë kanë rrënjë evropiane, por ne duhet t’i zhvillojmë dhe t’i ushqejmë ato. Cili do jetë ai progres, varet nga politikanët, mediat dhe sektori joqeveritar, të cilët duhet të punojnë më shumë për të ngritur kulturën dhe nivelin e tolerancës”, tha Murseli. Në anketë janë përfshirë edhe dukuri për të cilat përveç kufizimeve ligjore, ka edhe norma morale. Nga 87% deri në 91% variojnë shifrat rreth dhunës në familje, vetëvrasjes, prostitucionit dhe homoseksualizmit. Divorci, sipas qytetarëve është më pak i pajustifikuar. (koha.mk)



