LajmeRajon

Chollet para ardhjes në Prishtinë: Jemi të përqendruar tek normalizimi me bazë njohjen reciproke

Para ardhjes në Prishtinë, Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Derek Chollet ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka folur për zhvillimet e fundit në vend si dhe marrëveshjen finale.

Në këtë intervistë, Chollet dy herë e ka theksuar se ata janë të përqëndruar tek normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me bazë njohjen e ndërsjellë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Ne duam ta shohim Kosovën të vazhdojë në rrugën drejt integrimit më të madh evropian dhe një nga mesazhet që doli nga takimi shumë i rëndësishëm i nivelit të lartë mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Tiranë, i pari i këtij lloji që mbahet në rajon, ishte një angazhim i ripërtërirë i Bashkimit Evropian për ta çuar më tej këtë integrim. Ne i konsiderojmë bisedimet e drejtuara nga BE-ja mes Serbisë dhe Kosovës, si një element kritik në këtë drejtim. Ne jemi të përqendruar tek normalizimi me bazë njohjen e ndërsjellë. Por ne besojmë se bisedimet mund të çojnë në këtë hap dhe Kosova të mund të vazhdojë në rrugën e integrimit drejt Evropës”, ka deklaruar Chollet.

Chollet ka thënë se do të bëjnë çka do që munden për normalizim me bazë njohjen reciproke. Sipas tij, kjo do t’i mundësonte Kosovës ecjen në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

Ai ka folur edhe për zhgënjimin që shprehu DASH ndaj Qeverisë, lidhur me çështjen e targave.

“Bëhej fjalë për një çështje specifike, atë të zbatimit të vendimit për targat. Ne kishim pasur shumë biseda me kryeministrin dhe të tjerë për këtë çështje. Sekretari i Shtetit pati një bisedë me të. Ajo që mund të them është se më 23 nëntor ne kishim rënë dakord që ta linim atë çështje mënjanë për momentin, në mënyrë që të mund të përqendroheshim tek ajo që ne besojmë se është çështja më e rëndësishme me të cilën përballemi sot dhe ky është statusi i bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin me bazë njohjen reciproke. Kjo është diçka për të cilën ne do të bëjmë gjithçka mundemi, që ta mbështesim dhe kjo do t’i mundësonte Kosovës ecjen në këtë rrugëtim drejt integrimit evropian. Duke qenë se kushtet nuk ishin të përshtatshme për të zbatuar plotësisht këtë rregullore për targat, mendimi ynë ishte se ishte e rëndësishme të mos shkaktonim paqëndrueshmëri më të madhe. Menduam se do të ishte një lëvizje e matur, që ta linim (çështjen e targave) mënjanë për momentin, që t’i jepej më shumë kohë zhvillimit të bisedimeve të udhëhequra nga BE”, ka thënë Chollet.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën në mëngjes do të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët opozitarë. Aty pritet të jetë edhe ambasadori Jeff Hovenier, në ‘shtëpinë’ e të cilit organizohet takimi.

Takimi është thirrur nga Këshilltari i DASh’it, që të hënën pasdite ateron në Prishtinë, i shoqëruar nga Escobar. Dyshja amerikane në Kosovë do të qëndrojnë edhe të martën, ku përveç me krerët opozitarë, takime parashihet të zhvillojnë edhe me krerët e shtetit, Presidenten Vjosa Osmani e Kryeministrin Albin Kurti.

Ftesës për takim me Këshilltarin Chollet, i cili është paraparë të mbahet në Amasadën Amerikane në Prishtinë, i janë përgjigjur pozitivisht të tre liderët e opozitës — Memli Krasniqi i PDK’së, Lumir Abdixhiku i LDK’së si dhe Ramush Haradinaj i AAK’së.

Related Articles

Back to top button
Close
Close