
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social Facebook, për sulmin fizik ndaj futbollistëve të KF Bashkimi dhe tifozëve “Ilirët” gjatë një ndeshje futbolli në Aerodrom të Shkupit.
Ademi është shprehur se huliganizmi nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë, sepse sipas tij vetëm të bashkuar përfaqësojmë suksesshëm shtetin e Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare.
Reagimi i plotë:
“E dënoj ashpër sulmin fizik ndaj futbollistëve të KF Bashkimit dhe tifozëve “Ilirët” gjatë ndeshjes së djeshme në lagjen Aerodrom, në Shkup.
Akte të tilla huliganizmi nëpër stadiume, për qëllime të ndryshme dashakeqe janë të dëmshme për zhvillimin e sportit në vendin tonë dhe shoqërinë në përgjithësi.
Të bashkuar kemi dëshmuar se mund të kemi suksese të mëdha, një shembull i tillë është përfaqësuesja jonë, e përbërë nga futbollistë maqedonas, shqiptarë, turq e të tjerë, të cilët e ngritën lartë emrin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, falë punës së përbashkët në grup.
Andaj, nuk duhet të tolerojmë që askush ta dëmtojë këtë frymë nga e cila sporti jonë mund të arrijë suksese të mëdha.
Tifozëve të lënduar iu dëshiroj shërim të shpejtë dhe shpresoj që organet kompetente ta zbardhin rastin dhe ti zbulojnë sa më shpejtë ata persona.”, shkruan Ademi.



