
Presidenti i Republikës, Sh.T. Z. Bajram Begaj, vizitoi Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj, u pritën në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.
Kreu i shtetit shqiptar e falënderoi Atin e Shenjtë për audiencën e veçantë. Duke iu referuar marrëdhënieve historike e shumë shekullore mes shqiptarëve dhe liderëve të tyre me Selinë e Shenjtë presidenti Begaj shprehu mirënjohjen e thellë për gjithçka që Shteti i Vatikanit ka bërë për popullin shqiptar, sidomos pas ndryshimeve demokratike në vitet ’90.
Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi vizitat e Papa Vojtilës në vitin 1993 dhe të Papa Françeskut në vitin 2014 si mesazhe të forta mbështetëse për shqiptarët, për historinë dhe sakrificat e tyre për liri, pavarësi e dinjitet. Presidenti Begaj e ftoi Atin e Shenjtë për një vizitë në Shqipëri, duke e siguruar se do të mirëpritej gjithmonë krahëhapur nga populli shqiptar.
Presidenti Begaj vlerësoi vendimet e Papa Françeskut dhe të Selisë së Shenjtë për shenjtërimin e Nënë Terezës, lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, emërimin e At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi i Vatikanit, dhe së fundmi të emërimit të Imzot Arjan Dodajt si Kryeipeshkv i metropolit shqiptar të Tiranë-Durrësit.
Një vëmendje të veçantë në takimin me Atin e Shenjtë, Presidenti i Republikës ia kushtoi Kosovës. Duke përshëndetur marrëdhëniet shumë të mira kanonike mes Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik të Kosovës, Presidenti Begaj nënvizoi se “që nga dita e shpalljes së pavarësisë Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në drejtim të ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë“.
Gjatë audiencës, bisedimet u përqendruan edhe te zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe ndikimi i agresionit rus në Ukrainë për rajonin.
Më pas Presidenti i paraqiti Papës bashkëshorten me dy të djemtë e tij dhe delegacionin e bashkëpunëtorëve, shoqëruar edhe nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Dodaj.
Pas fotografive tradicionale Papa Françesku dhe presidenti Begaj shkëmbyen dhuratat e rastit.
Presidenti Begaj ka takuar po ashtu Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar Shteti i Vatikanit. Presidenti Begaj vlerësoi ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991.
Presidenti Begaj e njohu Kardinalin Parolin me progresin e Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, angazhimet e saj në kuadër të forcimit të fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe kontributin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023.
Duke iu referuar zhvillimeve te fundit Begaj tha se arritja e një marrëveshje, ligjërisht të zbatueshme, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte kontributi më i mirë për paqen, stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit.



