
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Vizita e tij mund të thuhet se vjen kur kanë mbetur edhe pak ditë nga skadimi i afatit për regjistrimin e veturave serbe me targa “RKS”, por për çka tjetër po bëhet kjo vizitë?
Escobari veçse e ka filluar takimin me presidenten Vjosa Osmani dhe pastaj do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe liderët e partive opozitare.
Dialogu, moszbatimi i marrëveshjes për energji mes Kosovës dhe Serbisë dhe afati për largimin e targave ilegale dhe konvertimi i tyre në RKS mund të jenë disa nga temat që pritet të diskutohen mes Escobarit dhe krerëve të shtetit.
Kjo vizitë, sipas Ismet Kryeziut nga Instituti i Kosovës për Demokraci, nuk po bëhet vetëm për dialogun Kosovë-Serbi, përcjell Syri.net Kosova
Ai thotë se Escobari po e viziton Kosovën edhe për zbatimin e e interpretimit të gjykatës kushtetuese për manastirin e Deçanit dhe se zbatimi i këtij vendimi mund të jetë njëri nga kushtet e fshehura për liberalizimin e vizave.
Më tej, në shkrimin e publikuar në profilin e tij në Facebook, Kryeziu ka bërë thirrje ndaj udhëheqësve të vendit dhe partive politike që të marrin përgjegjësi për ta nxjerrë Kosovën nga “status quo-ja”.
“Vizita e të dërguarit special të SHBA-së, besoj se nuk ka të bëjë vetëm me dialogun Kosovë-Serbi, por dhe me zbatimin e interpretimit të gjykatës kushtetuese për manastirin e Deçanit?! Përgjegjësia institucionale për zbatimin e vendimeve të gjykatës kushtetuese mund të jetë një nga kushtet e padeklaruara për liberalizimin e vizave. Moment i mirë politik për Kosovën për të ecur përpara me mbështetjen dhe angazhimin proaktiv të diplomacisë amerikane dhe vendeve mike në BE. Presidentja, Kryeministri dhe liderët e partive politike duhet të lirohen nga populizmat dhe të marrin përgjegjësinë për ta nxjerrur Kosovën nga status quo-ja e gjatë në rrafshin ndërkombëtar.” ka shkruar Kryeziu.



