
Pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut dhe erës së fuqishme të cilat dje pasdite e kapluan Shkupin, në numrin e telefonit 195 dhe përmes numrit për thirrje urgjente 112 u pranuan rreth 180 paraqitje. Prej tyre, për hapësira të vërshuara në objekte – 80, për drurë të rënë – 40, për automjete të dëmtuara dhe rrugë dhe nënkalime të vërshuara – nga 20, konstruksione të kulmeve të dëmtuara – 15, përçues të dëmtuar, shtylla të anuara dhe probleme të tjera me rrymë – pesë.
Siç informojnë nga Qendra për menaxhim me kriza – QMK, të gjitha këto paraqitje dhe probleme për zgjidhjen e tyre sipas prioritetit u janë përcjellë: Brigadës për mbrojtje nga zjarret, Qytetit të Shkupit, komunave dhe ndërmarrjeve publike në Qytet.Brigada zjarrfikëse e Qytetit të Shkupit pas motit të lig, me ekipe të veta intervenoi në dhjetëra raste për pompimin e ujit të hyrë në objekte dhe vende kritike.
“Në rrugët e Shkupit, nga NP ‘Ujësjellësi dhe kanalizimi’ njoftojnë se dje dhe gjatë natës, me cisterna dhe cisterna me vakuum kanë punuar në nxjerrjen e ujit të mbledhur dhe në pastrimin e kanalizimit atmosferik në vendet kritike (nënkalime dhe rrugë kryesore) dhe gjithashtu pas paraqitjeve të qytetarëve edhe në rreth 40 objekte të tjera. Sot në mëngjes komunikacioni është normalizuar”, theksojnë nga QMK.
Nga atje shtojnë se nga EVN kanë njoftuar se defektet anash, defektet në sistemin elektrik të krijuara nga zbrazjet elektrike dhe era e fuqishme në disa rajone të qytetit me rrethinë gjatë natës janë mënjanuar përveç drejt fshatrave Dvorcë dhe Radushë në Komunën e Sarajit ku banorët janë ende pa energji elektrike.
“Sipas njoftimeve nga Policia rrugore si dhe NPQ Shkup prej mesnatës, gjendja në të gjitha rrugët është normalizuar dhe sot në mëngjes komunikacioni dhe transporti publik i qytetit po zhvillohet normalisht”, theksojnë nga QMK.



