
Pas konferencës së Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar Kryetari i Sindikatës së Arsimit Rrahman Jasharaj, i cili deklarimet e ministres rreth hartimit të ligjit për paga, i ka quajtur shaka.
Jasharaj tha se kjo krijon huti dhe se nuk janë në dijeni dhe as nuk kanë qenë pjesë e hartimit të këtij ligji.
Andaj ai insistoi që deri në miratimin e tij, Qeveria t’u japë mësimdhënësve nga 100 euro shtesë.
“Kur jemi të kjo kërkesa modeste drejtuar Qeverisë për 100 euro shtesë në paga, Ministrja Nagavci bëri një humor pa fije kripe duke na kritikuar se pse paskemi kërkuar pikërisht 100 euro e jo , bie fjala , 300 euro. Ministre ne e kemi ditur se kjo kërkesë është minimale dhe e pamjaftueshme karshi gjithë këtyre ngritjeve të çmimeve, por e kemi bërë sepse mund të realizohej po të donte Qeveria. Nëse ju mendoni se kemi kërkuar pak dhe nuk e keni me tallje, atëherë si Ministre e tërë arsimit që je, kërko dhe realizo në Qeveri kërkesën tënde për 200 a 300 euro shtesë dhe ne do të jemi më të lumturit dhe do të ndjehemi krenar me ty”, ka shkruar ai.
Jasharaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës duke thënë se ka qasje të gabueshme ndaj sindikatave dhe dialogut, dhe se po krijon mjegull për Ligjin e pagave dhe ligjet tjera.
“Humori pa krip e ka sjellë situatën deri të greva e përgjithshme dhe nëse Ministrja Nagavci dhe Qeveria e kanë vërtetë hallin të nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva, le të nisin me dialogun dhe plotësimin e kërkesave të sindikatave, që janë në kuadër të BSPK-së”.



