
Vetëm 115 ditë ka zgjatur qeverisja e Dritan Abazoviçit, pak mesnate Kuvendi i Malit të Zi votoi pro mosbesimit ndaj Qeverisë së tij. Pas një seance rreth 12 orë me diskutime e debate, Qeveria u rrëzua me 50 vota pro dhe një kundër. Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga 81 që janë gjithsej në Kuvend.
Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi në një seancë të jashtëzakonshme kanë votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviq. Votuan 51 deputetë, 50 prej tyre ishin për rënien e qeverisë ndërsa një votë ishte kundër, raporton rtcg.
Përveç kërkuesve të mocionit të djeshëm të mosbesimit (DPS, SD, SDP, LP, DUA), për rënien e Qeverisë votuan edhe deputetët e Partisë Demokrate, Partisë Boshnjake, Prave i Ujedinjene Crne Gore. Danijela Gjuroviq votoi kundër shkarkimit të Qeverisë së Abazoviqit, ndërsa deputeti i Forcës, Genci Nimanbegu ka abstenuar.
Deputetët e DF-së, koalicionit “E Bardha në të Zezë” dhe SNP-së, si dhe deputeti i Partisë Demokratike, Miodrag Lekiq, u larguan nga salla e Kuvendit para votimit. Nga ministrat morën pjesë vetëm ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq dhe ai i Punëve të Jashtme, Ranko Krivokapiq. Deputetët e koalicionit “E Bardha në të Zezë” dhe Partisë Popullore Socialiste SNP, para vazhdimit të seancës, ofruan një Nismë për riformatimin e Qeverisë, por demokratët e refuzuan ofertën.
Pas shkarkimit të tij, Abazoviç mbajti një fjalim ku pranoi humbjen, por tha se ndihet krenar për çfarë ka bërë dhe se qeveria e tij do të mbahet mend për vendimet më të vështira që janë marrë ndonjëherë. Ai akuzoi sërish kundërshtarët politikë se janë të lidhur me krimin e organizuar.
“Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë në 100 ditë. Ne do të kujtohemi si qeveria që zgjati më pak, por që mori vendimet më të vështira”, tha ai.
Deri në zgjedhjen e qeverisë së re, do të formohet një qeveri teknike, por Abazoviç deklaroi se nuk do të marrë pjesë. Shkak për shkarkimin e tij u bë marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe që u cilësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit. Por, sipas Abazoviç nënshkrimi i kësaj marrëveshje është mënyra për të arritur një konsensus parlamentar për çështjet e rëndësishme për integrimin në BE.
Për rrëzimin e qeverisë votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, të cilët dorëzuan në Kuvend mocionin e mosbesimit, Demokratët e Aleksa Beçiçit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet. Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviçit nuk morën pjesë në votim.
Çfarë përmban Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe
Marrëveshja parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd. Me marrëveshje, shteti njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi. Marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.
Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës, kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.


