
Trembëdhjetë avionë të forcave ajrore kineze shkelën hapësirën ajrore të ngushticës së Tajvanit, tha më 13 gusht, ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.
Forcat ajrore të Kinës kanë fluturuar në mënyrë të përsëritur përtej linjës ndarëse ajrore gjatë javës së kaluar si pjesë e stërvitjeve ushtarake të organizuara pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në ishullin e pretenduar nga Kina, vizitë të cilën Pekini e kundërshtoi ashpër.
Ministri i Jashtëm tajvanez, Joseph Wu, ka thënë më 9 gusht se Kina është duke shfrytëzuar stërvitjet ushtarake si “përgatitje për pushtim të Tajvanit”.
Edhe Tajvani ka nisur stërvitjet e veta ushtarake të enjten.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë më 8 gusht se është i shqetësuar për veprimet e Kinës, por ka shtuar se “nuk besoj se ata do të bëjnë diçka më shumë sesa janë duke bërë”.



