
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i ka uruar të gjithë qytetarët në vigjilje të përvjetorit të 21-të të Marrëveshjes së Ohrit duke thënë se në çastet vendimtare kur vendi kishte nevojë të dalë nga humnera e urrejtjes dhe e paragjykimit. Shton se me këtë marrëveshje u ndërrmor hapi i duhur për të marrë me ngulm atë që sipas tij, na takonte në vendlindjen tonë, lirinë dhe barazinë në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
“21 vjet më parë kjo kauzë e jonë e pastër dhe e sinqertë u formalizua me nënshkrimin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit që orientoi vendin në binarët e duhur të zhvillimit demokratik mbi parimet e demokracisë konsensuale dhe kohezionit social duke etabluar respektin e ndërsjelltë për vlerat identitare të të gjithë popujve. Tejkaluam çdo skepticizëm, çdo tentativë dezorientimi duke u përkujdesur për implementimin e mirëfilltë të këtij akti juridik me përkrahjen e plotë edhe të faktorit ndërkombëtar dhe ja ku jemi sot, në paqe me njëri – tjetrin, të integruar në NATO, me konteste të zgjidhura me fqinjët dhe me negociata të filluara të integrimit me Bashkimin Europian”, ka shkruar Ahmeti.
Deklaron se Marrëveshja e Ohrit është vula e paqes, zhvillimit dhe rrugës euro-atlantike të vendit.
“Përvjetori i të cilit duhet festuar me dinjitet dhe reflektim për të vazhduar në të njejtën frymë progresive rrugëtimin tonë të së ardhmes. Urime të gjithë përvjetorin e 21-të të Marrëveshjes së Ohrit!”, ka shkruar Ahmeti.



