BotaLajmeTopLajm

Perëndimi zotohet se do të ndajë edhe 1.5 miliard euro për Ukrainën

Shtetet perëndimore janë zotuar se do të ndajnë më shumë se 1.5 miliard euro, ashtu që të rrisin kapacitetet e Ukrainës teksa përballet me luftën e Rusisë.

Kjo shumë është premtuar nga 26 shtete, të cilat janë përfaqësuar nga ministrat e Mbrojtjes, në një konferencë të mbajtur në Kopenhagë.

Paratë do të përdoren për të blerë armë, raketa dhe municion, përfshirë rritjen e prodhimit të armëve për Ukrainën.

Një pjesë do të ndahet edhe për trajnim të ushtarëve ukrainas.

Ministrat e Mbrojtjes të Polonisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke, kanë shprehur gatishmëri për të zgjeruar prodhimin e sistemeve të artilerisë, municionit dhe pajisjeve tjera ushtarake në Ukrainë, ka thënë ministri danez.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se donacionet janë dëshmi për të kundërtën e asaj që mund të ketë menduar presidenti rus, Vladimir Putin – që qeveritë perëndimore do të lodheshin nga konflikti.

Wallace ka thënë se pushtimi rus në Ukrainë ka “nisur të dështojë në shumë aspekte”.

Ukraina i ka bërë thirrje të vazhdueshme Perëndimit që t’i dërgojë më shumë armë, përfshirë artilerinë me rreze të gjatë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. /REL

Related Articles

Back to top button
Close
Close