LajmeMaqedoniTopLajm

“Zhan Mitrev” masakroi nëntë vjeçarin nga Kosova për 70mi euro, zbulon Zhurnal

Prokuroria, inspektorati shëndetësor dhe Agjencia për barëra kanë filluar me hulumtimin e punës në klinikën private “Zhan Mitrev”, pas zbulimit të IRL. Ndërkohë qindra tjerë klientë kanë denoncuar raste të ngjashme.

Përmbajtja rifillon pas shpalljes

Po inspektohet puna e klinikës pas dokumentarit “Gjaku i papastër”, e ku janë zbuluar se klinika e kardiokirurgjisë ka kryer studime klinike tek pacientë me metodën e hemofiltrimit, duke mos i paraqitur, e njëherit po hetohen edhe rastet e vdekjes, të lidhur me infektimet bakteriale tek pacientët.

Avokati i cili përfaqëson familjen që denoncoi klinikën, thotë se para tre muajve ka ngritur padi penale kundër të punësuarve në “Zhan Mitrev” përshkak kujdesit dhe mjekimit jo të denjë.

Ai dyshon se gjatë operimeve, janë përdorur instrumente të papastra ndërsa pacientëve dhe familjarëve u kanë përgatitur dokumentacion tjetër për vdekje.

Siç cekëm edhe më lartë, pas publikimit të këtij dokumentari, janë denoncuar edhe qindra raste të tjera. Një prej rasteve të dyshimta, u denoncua edhe në redaksinë e Zhurnal.

Bëhet fjalë për mjekimin e një fëmije 9 vjeçar nga Republika e Kosovës. Ai pas një operacioni të zorrës qore në Kosovë, pas 20 ditëve i përkeqësohet gjendja dhe sjellet në spitalin privat “Zhan Mitrev”. Nga ky spital, vetëm për ta pranuar djalin për trajtim familjes i kanë kërkuar garanca prej 12 mijë eurove. Ndërkohë familja duke tentuar të mbledhë paratë, djali vetëm se ishte operuar “urgjentisht”. Duke qëndruar në spital, siç denoncon për Zhurnal prindi i djalit, Riadit, atij pas çdo analize i nxjernin nga një bakterje të re, e për secilën i kërkonin fonde shtesë për trajtim.

Sa i përket hemofiltrimit të gjakut, nëna e djalit thotë se e njejta është kryer edhe te djali i saj 9 vjeçar, madje 3 apo 4 herë.

“Fillimisht trajtimi i djalit ka filluar ktu në Prishtinë. Është operuar për zorrën qore apo “appendix”, pastaj pas 10 ditëve gjendja i është përkeqësuar dhe ka pas trombozë në këmbën e majtë. Në QKUK ka qendru gati 2 javë dhe pas dy jave i është përkeqësu gjendja dhe ka ra n’shok septik, e ka pasë sepsën. Kta në raportin mjekësor nuk e kanë shkrujt se çka ka pasë.

Më pas përmes disa të afërmve u transferuam në Shkup në Klinikën Zhan Mitrev por vetëm për pranim prej atje nga kërkuan 12 mijë euro. Pastaj mu paraqitën gjatë ditës dhe më than se djali brenda ditës duhet urgjentisht të operohet sepse në të kundërtën mund t’i pëlcitë infeksioni. Si e parapanë ata, e ka sepsën. Ata nuk pranonin me bo operacion pa i pas paret. Në fakt e kishin bo operacion po mu nuk më lejun me epa djalin. Unë e pashë dokumentarin që ishte publiku kto ditë dhe e pashë atë aparatin për filtrimin e gjakut. Filtrimin djalit i’a kanë bo 3 a 4 herë. Realisht ky filtrim djalit i ka bë mirë por gjithsesi më duket se nuk ishte e lejuar me ligj. Kur i’a bënin filtrimin e gjakut menjëherë fillonte të kthjellet”, është shprehur e ëma e djalit pacient.

Ndërkohë, djalit i ishte bllokuar vena “Cava”. Bllokimi i saj nuk lejon depërtimin e gjakut në zemër, dhe mund të çojë deri te vdekja. Për intervenimin dhe lirimin e kësaj vene, personalisht Zhan Mitrev “kishte marë në duart e tij” pacientin 9 vjeçar, dhe pas “operacionit” mjeku Mitrev thotë se gjithçka shkoi mirë dhe operacioni u krye me sukses.

Pas një muaji, mjeku kirurg në këtë spital, doktor Boshko, aksidentalisht tregon se në fakt nuk kanë arritur t’ia hapin venën Cava, gjegjësisht kanë tentuar por tentimi ka qenë i pasuksesshëm. Në këtë situatë prindi i djalit ka ngelur e shtangur sepse gjendja e djalit vetëm se përkeqësohej.

“Dyshimet e mia janë në një trajtim tjetër që këmbët i’a futshin në një kovë me ujë. Djalit ju blloku vena kryesore “CAVA”. Djali ka bo pesë intervenime e kur e ka bo operacionin e fundit me hap venën “Cava”, mjeku Zhan Mitrev mka thënë gjithçka ka shku mirë dhe dot bahet mirë. Por tragjikja është aty që pas 1 muajve, një kirurg i vjetër me emrin Boshko, më tha se këtë venon Cava nuk kanë arrit me i’a hapë. Ky mjek është mjek i mirë dhe më dhimbset që është në mesin e atyre njerzve. Mu më interesonte pse në këmbët e djalit u formu Nekroza, ajo deri në asht e hante trupin e njerit. Kur e pyeta pse po bahet kjo, tha sepse nuk ka qarkullim të gjakut. Thash po ju ae keni hapë venën pse nuk ka qarkullim të gjakut. Jo tha venën e ka të mbyllur nuk kena mujt me ja hapë sepse ishte bo si beton. Tha ka nejt kohë të gjatë djali. E pyeta e pse doktori Zhan Mitrev nuk më ka tregu, tha nuk e di edhe i rudhi krahët. E pyeta pse në trajtimin e këmbëve ti personalisht nuk e mer përsipër çdo dit me ja pastru këmbët tha nuk ka shanca un vet me bo diçka. Ne bëjmë atë që na urdhëron mjeku Zhan. Mu mka met djeg pse i’a bënë at trajtim me ozon me kovë të ujit e këtë djali e ka urrejt më së shumti në botë. Djalin më pas në nëntor e kemi dërgu në Turqi me shpresë t’ia hapim këtë venën Cava”, shprehet më tej ajo për Zhurnal.

I gjithë trajtimi në këtë spital, atyre u ka kushtuar hiç më pak se 70 mijë euro. Për çdo veprim që është dashur të mer spitali, familjes u kanë kërkuar garanca për pagesë ndërsa në fund, i kanë kërkuar edhe 5800 euro tjera ose në të kundërtën, të mer djalin dhe të braktisë spitalin sepse u është dashur dhoma për pacient tjetër.

“Krejt trajtimi në Zhan Mitrev na ka kushtuar gjithsej 70,000 euro. I kam fakturat krejt. Ekam edhe një email që vëllau ia ka dërgu koordinatores. Ato janë bazu në atë që ne kemi pas pare kemi pas fonde. Një koordinatore bashk me një përgjegjëse e financave erdhën dhe më kërkun edhe një pagesë prej 5800 eurove ta bëj ose në të kundërtën “mere djalin dhe dil prej spitalit”, shton ajo.

Kundrejt faktit që familjes u janë kërkuar rreth 70 mijë euro për trajtim, gjithsesi djali nuk ka patur asnjë përmirësim por përkundrazi, çdo ditë ka qenë keq e më keq. Pas dy muajve trajtim në Zhan Mitrev, djali është dërguar për shërim, respektivisht për hapjen e mundshme të venës Cava në Turqi, mirëpo atje fatkeqësisht djali nuk kishte arritur tu bëjë ballë dhimbjeve dhe plagëve, dhe atje ndërron jetë.

“Djali që nga dita e parë në Zhan Mitrev ka qenë çdo ditë e ma keq, asnj përmirësim nuk ka pas. Djali është trajtu për gjendjen septike, pastaj çdo javë i’a nxjerrshin nga një bakterje të re. Kur kemi shku nTurqi ata janë tmerru qysh e kemi lanë deri nket shkallë. Në fund, kur e panë se djalit i ka ardh fundi, më thanë dërgoje në banjë në Kosovë, me qëllim për t’i ikë përgjegjësisë, edhe pse djali ishte krejt varra e ashtu nuk guxojke me hy në banjë”, përfundon ajo.

Shtrohet pyetja se sa e sa pacientë tjerë si rasti i Riadit 9 vjeçar kanë përfunduar në duart e hulumtuesve mjekë nga kjo klinikë Zhan Mitrev. A thua sa pacientë tjerë kanë ikur nga kjo botë duke kryer testime dhe duke provuar trajtime të reja në trupin e tyre. Absurdja është se dikush të mer para të shumta në mënyrë që të tallet dhe luajë me trupin tënd. Prindërit e Riadit e dinë se djali i tyre nuk kthehet më, por do të ishin tejmase të gëzuar nëse kjo klinikë, në krye me vet mjekun Zhan Mitrev, një ditë e marin ndëshkimin e duhur që meritojnë.

Ndryshe siç raporton portali Reflektor, e duke u bazuar në burimet nga open.finance.gov.mk , spitali klinik Zhan Mitrev, gjatë periudhës 2017 – korrik 2022, nga shteti ka marë fonde prej 46,5 milion euro në baza të ndryshme./Zhurnal.mk

Related Articles

Back to top button
Close
Close