
Dy prej figurave të rëndësishme të partisë kryesore opozitare gjermane, CDU, e kryesuar në vite nga ish- kancelarja Merkel kanë dhënë qëndrimin e tyre lidhur me vendimin e BE për të hapur më në fund negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Nënkryetari i CDU, Dr. Johann Wadephul, i cili është gjithashtu kryetar i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor dhe Gunther Krichbaum, zëdhënës për politikën europiane deklarojnë se hapja e negociatave është një moment historik për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
“Negociatat për anëtarësimin në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, jane një hap historik drejt rrugës së integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE.
Duhet të jetë po aq e qartë se ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim ndaj kritereve të anëtarësimit. Për Shqipërinë në veçanti, Bundestagu ka formuluar kritere të qarta për pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e shtypit. Këto kritere ende nuk janë përmbushur. Pres që qeveria e Edi Ramës t’i zbatojë këto reforma me guxim dhe që BE-ja të kërkojë përmbushjen e tyre gjatë bisedimeve.
Bashkimi Europian duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar sukses në negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Pres që qeveria bullgare të mos vendosë pengesa të tjera në rrugën e këtyre negociatave dhe përfundimisht t’i japë fund lojërave te tyre të motivuara thjesht nga politika e brendshme, të cilat bien ndesh me frymën europiane. Maqedonisë së Veriut i kërkohet ashtu si Shqipërisë që të vazhdojnë përpjekjet për thellimin e reformave”.
Shqipëria e ka marrë statusin e vendit kandidat që në vitin 2014 por dështoi në Tetor të vitit 2019 kryesisht për shkak të kundështimit të Francës, por edhe të Danimarkës e Holandës.
Për të ngritur një urë ndërmjet vendeve që në vjeshtën e vitit 2019 votuan kundër hapjes së bisedimeve të anëtarësimit dhe atyre që u shprehën në favor të hapjes.
Bundestag-u gjerman hartoi vendimin e datës 26 Shtator 2019, duke e detyruar vendin që deri atëherë të plotësojë disa kushte me dy shkallë të cilat duhet të jenë përmbushur deri në mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare.
Para konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëria duhet të plotësojë nëntë kushte, ndër to nisja e proceseve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, që gjatë procesit të vettingut rezultojnë të kenë kryer bashkëpunuar me krimin dhe nuk kanë justifikuar pasuritë.
Po ashtu kërkohet nisja e proceseve hetimore karshi personave që akuzohen për blerje votash.
-Arritje të qëndrueshme në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen dhe përfundimin e proceseve gjyqësore ndaj funksionarëve të lartë dhe politikanëve.
-Arritje konkrete për zbatimin e reformës së administratës publike.
-Zbatimi i reformës zgjedhore.
– Zbatim i kuadrit ligjor të vitit 2017 për mbrojtjen e minoriteteve.
– Miratimi i një ligji për censusin e popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës.
– Progres në procesin e regjistrimit të titujve të pronësisë.
Vendimi i Bundestag-ut rezultoi të ishte një urë e artë në mënyrë që vende si Franca, Holanda dhe Greqia të jepnin miratimin e tyre per hapjen e negociatave për vendin tonë.



