
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka dënuar sulmet dhe fyerjet jashtëzakonisht të pacivilizuara të shprehura në Kuvend nga deputetët e VMRO-DPMNE-së ndaj përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian.
“Dënojmë ashpër gjuhën e urrejtjes që opozita po përhap me këmbëngulje këto ditë dhe po përpiqet t’ia imponojë opinionit nga foltorja e Kuvendit, por edhe nga bllokadat dhe protestat në rrugë. Qëllimi kryesor i këtyre sulmeve të turpshme dhe të nivelit të ulët është pengimi i rrugës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve evropiane”, thonë nga Qeveria.
Ata kanë shtuar se qëndrimet e Qeverisë janë të qarta për t’u bërë pjesë e familjës evropiane. “Kjo po bëhet duke mbrojtur interesat kombëtare dhe gjuhën maqedonase. Ne theksojmë se me të gjitha kapacitetet e tyre do të vazhdojnë të punojnë për prosperitetin e vendit dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, përfundojnë nga atje.



