LajmeMaqedoni

7 EMRA PËR 1 PRESIDENT/ Neziri “skanon” RMV: Votimet e sotme tregues se kush do e ketë qeverinë. Ja çfarë do të bëjnë shqiptarët

Në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet presidenciale. Këto janë zgjedhjet e shtata pas pavarësisë së vendit. Shtatë kandidatë janë në garë, prej tyre dy shqiptarë.

Mbi 1 milion e 800 mijë votues janë të regjistruar dhe gara quhet e vlefshme nëse 40 përqind e elektoratit del për të votuar.

Zakonisht, në raundin e parë nuk pritet të ketë fitues, por dy garuesit me më tepër vota kalojnë në balotazhin e 8 majit, kur mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.

Në garë janë: Stevo Pendarovski i LSDM-së, i cili garon për një mandat të dytë; Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së, Bujar Osmani i koalicionit Fronti Evropian i drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim; Arben Taravari i koalicionit VLEN; Maksim Dimitrievski i partisë “Znam”; Stevçe Jakimovski i Opsionit Qytetar për Maqedoninë; si dhe Biljana Vankovska, e partisë “E Majta”.

Për të kuptuar më shumë për situatën politike e deritanishme, por edhe për shanset që kanë dy kandidatët shqiptarë për të marrë postin e kreut të shtetit, analisti Xhelal Neziri, në një intervistë për “Ora Neës” skanoi situatën politike dhe pritshmëritë nga ky raund i parë i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.

“Këto zgjedhje më shumë se idelogjitë apo parimet politike, vendos interesi konkret. Dhe ky interes në këtë raund të parë të zgjedhjeve do të lidhet me formimet parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Nëse kandidatja e opozitës do t’i fitojë këto zgjedhje, kjo do të jetë një paralajmërim i një fitoreje të VRMNO-DPME-së edhe në zgjedhjet e parlamentare.

Dhe kalimi i kandidatit tek opozita do t’i bëjë shqiptarët që të kalojnë në raundin e dytë si tek VRMNO-DPME-ja, ashtu edhe te LSDME-ja, varësisht se kush mund të formojë qeverinë e ardhshme. Në këtë kuptim, mendoj se marrëveshja e partive shqiptare për të përkrahur ndonjërin nga kandidatët në raundin e dytë do të lidhet pikërisht me krijimin e qeverisë së ardhshme”, u shpreh ndër të tjera në analizën e tij analisti Xhelal Neziri.

VOTIMET NE RMV

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se që nga ora shtatë e mëngjesit janë hapur të gjitha 3840 qendrat e votimit. Deri në orën 11 të paradites kanë votuar 12,78% e votuesve, në shkallë vendi.

Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka një mandat prej pesë vjetësh dhe zgjidhet me votë, ndonëse kohët e fundit janë shtuar debatet, sidomos në radhët e partive politike shqiptare që presidentin ta zgjedhë parlamenti.

Por kjo kërkon ndryshimin e Kushtetutës, që partitë maqedonase nuk kanë pranuar deri më tani.

Misioni i ODIHR-it që ndodhet në vend, ka mbi 320 vëzhgues për të ndjekur procesin, ndërsa një numër edhe më i madh i vëzhguesve vendas po ashtu është aktiv në terren.

Kutitë e votimit mbyllen në orën 19:00, ndërsa rezultatet e para pritet të shpallen rreth mesnatës, nga KSHZ, por shtabet e partive dhe të kandidatëve zakonisht i kanë të dhënat edhe më përpara dhe ato nuk dallojnë shumë nga ato të autoriteteve të zgjedhjeve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close