Trishtimi që po përjetojmë këto ditë është i pamatshëm. Koçani është mbuluar me të zeza dhe 59 familje kanë humbur të dashurit e tyre. Kjo nuk është vetëm një humbje për ta, kjo është një humbje për të gjithë ne. Nesër do t’i dërgojmë në përjetësi, por për familjet e tyre, miqtë dhe gjithë komunitetin, dhimbja nuk do të përfundojë nesër.
Si mjek, si neurolog, e di që ngjarje të tilla lënë jo vetëm trauma emocionale, por edhe pasoja të thella neurologjike dhe psikologjike. Kur trupi dhe mendja përjetojnë një tronditje të tillë, pasojat mund të jenë të gjata, stresi kronik, ankthi, depresioni, manifestimet fizike si pagjumësia, dhimbje koke, madje edhe çrregullimi i stresit post-traumatik. Bota e tyre ka ndryshuar përgjithmonë dhe kështu ne duhet t’i ndihmojmë ata të gjejnë forcën për të ecur përpara.
I bëj thirrje të gjithëve, institucioneve, organizatave, individëve që të mos ndalen vetëm në fjalët e empatisë. Ndihma duhet të jetë afatgjatë, e vazhdueshme dhe profesionale. Mbështetja psikologjike është thelbësore, ndaj shpreh mirënjohjen time të madhe për të gjithë profesionistët që ofruan ndihmë menjëherë, përfshirë Shoqatën e Psikologëve dhe Psikiatërve, Kryqin e Kuq, sektorin civil dhe ekspertët.
Kjo tragjedi na ka prekur të gjithëve. Sot jemi të detyruar të jemi pranë njëri-tjetrit. Dhimbja është e përbashkët, por duhet të ndahet edhe forca që kemi si komunitet. I bëj thirrje të gjithëve që mund të ndihmojnë. Mbështetja jonë qoftë e vazhdueshme, sepse dhimbja nuk mbaron nesër.
Në këtë moment të vështirë, le të jemi njerëz. Le të jemi këtu për njëri-tjetrin 



