
Dymbëdhjetë gushti nuk është thjesht një datë në kalendar për banorët e Lubotenit – është një plagë e hapur që rrjedh dhimbje, një kujtim i errët që nuk shuhet as nga koha, e as nga harresa. Në agimin e asaj dite të përgjakshme të vitit 2001, qielli mbi Luboten u nxi nga tymi i shtëpive të djegura dhe britmat e njerëzve të pafajshëm – dhjetë jetë u këputën pa mëshirë, në mes tyre edhe një engjëll gjashtëvjeçar, Erxhan Aliu. Viktimat e tjera të masakrës së Lubotenit ishin edhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.
Fshati u zgjua në terror, në zhurmë armësh e zjarr shkatërrues. Në vend të mëngjesit të zakonshëm, Luboteni u përball me një stuhi gjakderdhjeje, një akt që nuk kursente as të moshuar, as fëmijë, as gra, e as burra. Ai mëngjes u bë akti më i errët i një tragjedie njerëzore, ku uniformat që duhej të mbronin jetën, e shkelën atë me çizmet e urrejtjes.
Sot, 24 vjet më pas, kujtimi i tyre jeton në lotët e nënave, në heshtjen e varreve, në britmat e pashprehura që ende jehonojnë në rrugicat e fshatit. Luboteni nuk harron .Sepse drejtësia nuk është vetëm dënim, është kujtesë. Dhe kujtesa është rezistencë./SHENJA



