Zgjedhje të parakohshme parlamentare më 25 prill? VMRO drejt një vendimi për zgjedhje të reja

Rezultatet e zgjedhjeve në Bërvenicë duket se kanë shtuar presionin politik brenda koalicionit qeverisës, ndërsa në qarqet politike po qarkullojnë informacione se VMRO-DPMNE po shqyrton mundësinë e kërkimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat mund të mbahen më 25 prill.

Sipas informacioneve që pretendohet se kanë dalë nga burime brenda VMRO-DPMNE-së, gjatë ditëve të fundit në parti është diskutuar seriozisht mundësia e shkuarjes në zgjedhje të reja. Rezultati në Bërvenicë, sipas këtyre vlerësimeve, ka nxjerrë në pah një situatë të pakëndshme për partinë, e cila mund të ketë kuptuar se në terren nuk mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen e partnerëve të saj të koalicionit.

Pakënaqësi raportohet të ketë edhe ndaj VLEN-it, për shkak të asaj që në VMRO-DPMNE konsiderohet si mungesë e angazhimit dhe përkrahjes së mjaftueshme në terren gjatë procesit zgjedhor në Bërvenicë.

Nga ana tjetër, rezultati në këtë komunë duket se i ka dhënë një shtysë të re edhe BDI-së dhe koalicionit AKI, të cilët mund ta shohin momentin si mundësi për të kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe për të testuar sërish raportin e forcave politike në vend.

Nëse këto informacione rezultojnë të sakta, 25 prilli mund të shndërrohet në një datë të rëndësishme për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për një vendim të tillë nga VMRO-DPMNE apo partnerët e koalicionit.