Afati zyrtar për legalizimin e ndërtimeve pa leje në Maqedoninë e Veriut është zgjatur zyrtarisht me ligj deri më 3 mars të vitit 2031. Ky vendim vjen si një dritë jeshile dhe një mundësi e re ekskluzivisht për qytetarët që i kanë dorëzuar kërkesat e tyre nëpër komuna, por që për vite me radhë kanë mbetur të bllokuar në sirtarët e administratës si pasojë e burokracisë dhe mungesës së dokumentacionit.
Ligji i ri është i prerë dhe nuk lejon hapësirë për keqpërdorime: afati i ri vlen vetëm për kërkesat ekzistuese që janë dorëzuar tashmë nëpër komuna për objektet e ndërtuara në periudhën 2011–2018. Korniza ligjore e bën të qartë se nuk parashikohet asnjë mundësi për dorëzimin e kërkesave për ndërtime të reja pa leje, duke synuar parandalimin e kaosit të ri urbanistik.
Në Komunën e Tetovës, procesi po përballet me një volum të madh lëndësh të pezulluara. Sipas të dhënave zyrtare, llogaritet se janë ende rreth tre mijë lëndë të bllokuara ose të refuzuara paraprakisht. Shkaqet kryesore të këtij bllokimi ndërlidhen me mungesën e dokumentacionit të plotë ligjor dhe problemet e ndërlikuara pronësore-juridike midis palëve.
“Nga hyrja në fuqi e legjislacionit përkatës janë përpunuar gjithsej 14.543 kërkesa të dorëzuara, ndërsa 2.837 lëndë vazhdojnë të jenë në procedurë aktive”, thuhet në raportin më të fundit të Sektorit për Urbanizëm në Komunën e Tetovës.
Nga Sektori për Urbanizëm i Komunës së Tetovës sigurojnë opinionin se zgjatja e afatit nuk do të thotë tolerim i paligjshmërisë në kurriz të qytetit. Përfaqësuesit e këtij sektori theksojnë se gjatë procesit është duke u bërë një filtrim i rreptë i lëndëve, me qëllim që të mos dëmtohet në asnjë formë interesi publik.
Deri më tani, objektet pa leje që kanë arritur të legalizohen kanë kaluar verifikimet se nuk pengojnë në planin gjeneral urbanistik. konkretisht në hapjen e rrugëve të reja, zgjerimin e bulevardeve apo ndërtimin e objekteve të tjera me interes të përgjithshëm shoqëror.
Procesi i legalizimit të objekteve pa leje në vend ka një histori të gjatë që filloi që në vitin 2011. Vendimi i atëhershëm politik dhe ligjor u mor si një masë amnistie emergjente për të vendosur rend në terren, duke pasur parasysh numrin jashtëzakonisht të madh të ndërtimeve pa leje që ekzistonin në atë periudhë. Sot, 15 vite pas nisjes së këtij procesi, shtyrja e afatit deri në vitin 2031 shihet si kapitulli final për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit me ndwrtimet pa leje.


