Edon Zhegrova po fiton gjithnjë e më shumë hapësira te Juventusi, por pavarësisht paraqitjeve pozitive, sulmuesi kosovar ka marrë një lajm zhgënjyes nga klubi italian.
Edhe pse aktivizohet kryesisht nga stoli, Zhegrova ka arritur të tërheqë vëmendjen me paraqitjet e tij, duke sjellë energji dhe kreativitet në repartin ofensiv të bardhezinjve.
Kjo u dëshmua edhe në ndeshjen ndaj Napolit, ku depërtimet e tij ndihmuan Juventusin në fitoren 2-0.
Megjithatë, situata në garat europiane mbetet ndryshe. Pas dëmtimit të kapitenit Manuel Locatelli, Juventusi kishte mundësinë të bënte një ndryshim në listën e UEFA-s, ku fillimisht kishte lënë jashtë Edon Zhegrovën.
Pritej që ky ndryshim t’i hapte rrugën futbollistit kosovar për t’u përfshirë në listën europiane, por drejtuesit e klubit kanë marrë një vendim tjetër.
Sipas deklarimit të administratorit të klubit, Giovanni Carnevali, vendin e Locatellit pritet ta zërë Jeff Ekhator, i cili shihet si një investim për të ardhmen.
Kështu, Zhegrova do të vazhdojë të mbetet jashtë listës së Juventusit për garat europiane. Mundësia për t’u përfshirë në këtë kompeticion mund t’i jepet vetëm në fazën e dytë të sezonit, në vitin 2027.
Vendimi vjen në një moment kur reprezentuesi i Kosovës po përpiqet të fitojë më shumë minuta dhe të dëshmojë vlerat e tij në fanellën bardhezi.


