Vala e kërcënimeve për bomba në Europë/ Në alarm dy avionë grekë, evakuohen pasagjerët

Edhe Greqia është përfshirë në valën e kërcënimeve për bomba në avionët e pasagjerëve që ka përfshirë kontinentin europian ditët e fundit.

Dy avionë të kompanisë greke Aegean Airlines, njëri që udhëtonte nga Athina drejt Vjenës dhe tjetri nga Selaniku drejt Milanos, u vunë në alarm pas telefonatave që paralajmëronin për vendosjen e bombave në bord.

Të dy avionët nuk kanë ndryshuar destinacionin, por kanë përfunduar fluturimet dhe janë ulur në mënyrë të sigurt në destinacionet e tyre. Pas uljes, pasagjerët dhe ekuipazhet u evakuuan, ndërsa autoritetet nisën kontrollet për lëndë shpërthyese.

Këto incidente vijnë pas një serie kërcënimesh në disa vende europiane. Vetëm të martën, të paktën shtatë avionë dhe një anije turistike që i përkiste një kompanie greke u përballën me alarme për bomba.

Nga kontrollet e deritanishme nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Autoritetet po hetojnë nëse kërcënimet kanë lidhje me njëri-tjetrin, ndërsa në shtypin vendas aludohet për hakerat nga Rusia dhe Irani.