Donald Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të bombardimeve kundër Iranit, në bashkëpunim me Izraelin, pas presionit të shtuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Sipas burimeve, presidenti amerikan po shqyrton një fushatë të përbashkët ushtarake që mund të zgjasë nga katër deri në shtatë ditë, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten, shkruan The Telegraph.
Javët e fundit, Trumpi kishte dhënë sinjale të qarta se nuk e mbështeste rifillimin e luftimeve, duke e cilësuar luftën me Iranin si “praktikisht të përfunduar” dhe duke pretenduar se SHBA-ja kishte arritur një “fitore shumë të madhe”.
Ai gjithashtu kishte urdhëruar zëvendëspresidentin JD Vance të ndërpriste negociatat me Republikën Islamike lidhur me programin e saj bërthamor.
Kjo ndodhi pas humbjes së rëndë të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit dy javë më parë.
Partia ka humbur kontrollin e Kongresit, rezultat që në masë të madhe i është atribuar luftës, e cila ka rritur koston e jetesës, si dhe mbështetjes së SHBA-së për Izraelin.
Megjithatë, si “New York Times”, ashtu edhe “Axios” kanë raportuar se Trumpi po shqyrton një tjetër fushatë të madhe bombardimesh, pasi ka marrë informacione të reja nga inteligjenca amerikane lidhur me përparimin e Iranit në rindërtimin e kapaciteteve të tij raketore.
Raportimet vijnë pas vizitës në Uashington të Roman Goffmanit, drejtorit të Mossadit dhe një aleati të rëndësishëm të Netanyahut, i cili, sipas raportimeve, ka ushtruar presion të fortë në favor të rifillimit të operacioneve ushtarake. Izraeli gjithashtu ka paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë se Irani po përparon në programet e tij të armëve kimike dhe biologjike.
SHBA-ja ka një prani të madhe ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë dy aeroplanmbajtëse dhe një anije sulmuese amfibe, të cilat janë në rrugë drejt zonës së operacioneve.
Përveç kësaj, është raportuar se SHBA-ja së fundmi ka evakuuar nga rajoni një pjesë të personelit jo të domosdoshëm, në pritje të kundërpërgjigjes së mundshme iraniane, si dhe ka dërguar një tjetër bateri të sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot në Izrael.
Dihet se Netanyahu prej muajsh po i bën presion Trumpit për rifillimin e luftës, përfshirë edhe në disa raste para zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, në fund të tetorit.
Pasi ka humbur shumicën qeverisëse, ai tani po u bën thirrje partive opozitare që t’i bashkohen në një qeveri të “unitetit kombëtar”, duke përmendur kërcënimin që vjen nga Irani.
Naftali Bennett, lideri i njërës prej partive opozitare në Izrael, ka nxitur spekulime se mund të largohej nga opozita dhe të ndihmonte Netanyahun të bëhej sërish kryeministër. Kjo ka ndodhur të mërkurën, kur ai zhvilloi një takim privat disaorësh me kryeministrin, siç raportohet pa i informuar paraprakisht kolegët e tij të opozitës.
Megjithatë, burime kanë bërë të ditur më pas se Bennett do të shqyrtonte një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me Netanyahun vetëm nëse kjo do të nënkuptonte që rivali i tij, Gadi Eisenkot, të merrte fillimisht postin e kryeministrit, sipas një marrëveshjeje për rotacionin e këtij posti.
SHBA-ja dhe Irani kanë vazhduar shkëmbimin e sulmeve të kufizuara hakmarrëse në zonën e Ngushticës së Hormuzit, për të cilën të dyja palët pretendojnë kontrollin.
Ndërkohë, Izraeli, i cili në rast të rikthimit në luftë do të përballej sërish me sulme iraniane me raketa balistike dhe raketa të tjera, nuk ka marrë pjesë në sulme ajrore që nga prilli.


