Trump kërkon marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë deri në fillim të janarit

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump u ka bërë të ditur përfaqësuesve evropianë dhe ukrainas se dëshiron që Kievi të arrijë një marrëveshje paqeje me Moskën deri në fillim të janarit. Sipas burimeve të cituara nga gazeta britanike „Financial Times“, Uashingtoni dëshiron që marrëveshja të arrihet para se demokratët të marrin kontrollin e Kongresit amerikan.

Përfaqësuesit specialë të Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë rifilluar bisedimet me Ukrainën dhe Rusinë në Abu Dhabi, pas një ndërprerjeje tetëmujore të shkaktuar nga lufta me Iranin.

„Amerikanët po ushtrojnë presion të madh dhe ekziston shqetësimi se çdo marrëveshje do të kërkonte lëshime të mëdha nga Ukraina“, ka deklaruar një zyrtar evropian pas takimit me përfaqësuesit amerikanë.

Një tjetër përfaqësues evropian ka thënë se amerikanët po nxitojnë, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin jo.

Ky afat ka shtuar shqetësimet në Kiev se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund të detyrohet të pranojë një marrëveshje sipas kushteve të Moskës, para ndryshimit të shumicës në Kongresin amerikan.

„Trump e pëlqen Putinin dhe dëshiron që e gjithë kjo të përfundojë deri në janar“, ka deklaruar një zyrtar i lartë ukrainas, duke vlerësuar se Rusia mund të përfitojë kushte më të favorshme nëse marrëveshja arrihet para këtij afati.

Edhe pse Uashingtoni nuk i ka kërkuar zyrtarisht Ukrainës të bëjë lëshime konkrete ndaj Rusisë, Putini të enjten deklaroi se Ukraina dhe aleatët e saj evropianë duhet të pranojnë „kompromise“ dhe „realitetin në terren“.

Një zyrtar i lartë ukrainas i ka cilësuar veprimet e administratës Trump si një zgjedhje të qartë për t’i ndihmuar Rusisë të sigurojë kushte më të favorshme në negociatat për paqe.