Parlamenti i Greqisë ka miratuar një projektligj që parasheh vendosjen e një takse prej 10 për qind mbi fitimet kapitale nga kriptovalutat.
Ky është kuadri i parë gjithëpërfshirës ligjor në Greqi për tatimin e aseteve kripto.
Sipas projektligjit, fitimet vjetore nga kriptovalutat deri në 500 euro do të përjashtohen nga taksimi.
Nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se në javët në vijim do të publikohen edhe udhëzime shtesë për zbatimin e ligjit, të cilat do të përcaktojnë rregullat e transparencës dhe auditimit.
Ndërkohë, vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë një sistem të unifikuar për tatimin e kriptovalutave. Normat tatimore në vendet evropiane variojnë nga 8 deri në 30 për qind dhe zakonisht aplikohen mbi fitimet kapitale.
Autoritetet greke thonë se ende nuk mund të parashikojnë të ardhurat që do të gjenerohen nga taksa e re. Kjo për shkak se shumica e investitorëve përdorin platforma të huaja, çka e vështirëson matjen e madhësisë së tregut të kriptovalutave në vend.


