Sulmi kibernetik godet 178 uebfaqe të mëdha, përfshirë CNN e Zoom

Disa nga uebfaqet më të vizituara në botë, përfshirë ato të Zoom-it, HSBC-së, Equifax-it, CNN-it, Salesforce-it dhe IKEA-s, u komprometuan në një përpjekje për të vjedhur kriptovaluta dhe për të infektuar iPhone-ët, tha të hënën një studiues i sigurisë kibernetike, shkruan NY Post.

Kodi keqdashës JavaScript u drejtohej vizitorëve të uebfaqeve të 178 organizatave në sektorë të ndryshëm, përmes Optimizely-t, një platformë për optimizimin e uebfaqeve, sipas studiuesit Scott Helme.

Skriptet tentuan të zëvendësonin adresat e pagesave me kriptovaluta me portofolin e sulmuesit, të përgjonin numrat e kartelave teksa përdoruesit i shkruanin të dhënat e kartelave të kreditit, të vidhnin skedarët e identifikimit (cookies) dhe pamjet e ekranit, si dhe të instalonin kod shfrytëzues në pajisjet me sistemin operativ iOS.

Helme shkroi për rrezikun e sulmit, duke pretenduar se hakerët kishin mundësi të bënin pothuajse gjithçka që dëshironin. “Të vetmet gjëra që i pengojnë janë imagjinata e tyre dhe aftësia për të shkruar kodin [JavaScript] që të bëjnë atë që duan”, shkroi Helme, i cili gjithashtu trajnon njerëz për aftësitë e mbrojtjes nga hakerët. “Sulmuesit thjesht zgjodhën të mos e bënin këtë”.