Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar për një bashkëpunim të suksesshëm mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave.
Si rezultat i veprimeve hetimore të Prokurorisë Speciale, mësohet se pas arrestimit të një të dyshuari me inicialet A.G., rast i ndodhur dhjetorin e vitit 2025, të njëjtit i janë konfiskuar edhe pasuritë e përfituara nga aktivitetet kriminale.
Ndërkaq, sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial të Kosovës, “rasti tashmë ka marrë epilog gjyqësor në Suedi dhe përbën precedentin e parë kur ky shtet ka arritur të sekuestrojë pasuri jashtë juridiksionit të vet territorial”.
Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, së bashku me autoritetet suedeze, “do të ndërmarrë hapa të mëtejmë për ekzekutimin final të pasurive të konfiskuara në Kosovë me vendim të plotfuqishëm të autoriteteve suedeze”.
Në njoftim theksohet se ky rast paraqet një shembull të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht në konfiskimin e aseteve të përfituara përmes veprimtarive kriminale, pavarësisht vendit ku ato ndodhen.
Institucioni i Prokurorit të Shtetit ka ritheksuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me vendet partnere në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit me element ndërkombëtar.
Rasti ka të bëjë me arrestimin e ndodhur dhjetorin e vitit 2025, ku sipas njoftimit të Autoritetit Suedez për Krimet Ekonomike (SECA), një person ishte ndaluar në kuadër të një hetimi për trafikim të narkotikëve dhe shpëlarje të rëndë të parave, ku thuhej se janë sekuestruar prona të paluajtshme, para të gatshme dhe një automjet në Kosovë.
Sipas komunikatës së këtij Autoriteti, të publikuar më 22 dhjetor 2025, i dyshuari ishte arrestuar në rajonin e Goteborgut të Suedisë.
I dyshuari ishte ndaluar nën dyshimin për vepra veçanërisht të rënda të trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarje të rëndë të parave.
“Në kuadër të operacionit, kontrolle ishin kryer njëkohësisht në Suedi dhe Kosovë. Në Kosovë, me mbështetjen e policisë dhe prokurorisë vendore, ishin sekuestruar prona të paluajtshme, para të gatshme dhe një automjet. Ndërkaq, në Suedi ishin siguruar sende me vlerë dhe dokumentacion digjital, për të mundësuar vazhdimin e hetimeve dhe analizimin e rrjedhave financiare”, thuhej në komunikatën e SECA.
Prokurori shtetëror suedez, Daniel Larson, kishte vlerësuar lart bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Bashkëpunimi me Prokurorinë Speciale të Kosovës është karakterizuar nga një nivel i lartë profesionalizmi dhe bashkëpunimi i plotë, gjë që ka qenë parakusht për të arritur sekuestrimin e pronave, parave të gatshme dhe një automjeti në këtë rast”, kishte deklaruar Larson.
Ai kishte theksuar se autoritetet suedeze janë duke përdorur legjislacionin e ri për të mundësuar qasjen dhe konfiskimin e pasurive edhe jashtë territorit të Suedisë.
Operacioni ishte rezultat i një hetimi të gjatë, në të cilin kishin bashkëpunuar disa institucione me synimin për të goditur krimin e organizuar dhe për të konfiskuar përfitimet e siguruara nga aktivitetet kriminale, si në Suedi ashtu edhe jashtë saj.


