Rreth 15,4 milionë njerëz në Sudan kanë nevojë urgjente për strehim emergjent dhe pajisje themelore shtëpiake, por mungesa e theksuar e fondeve rrezikon ndërprerjen e ndihmës për miliona persona, paralajmëruan sot dy agjenci të Kombeve të Bashkuara, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët, Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) thanë se organizatat humanitare kanë burime të mjaftueshme për t’i dhënë përparësi ndihmës vetëm për 10 për qind të personave në nevojë.
Deri më tani, ndihmë kanë marrë vetëm 936 mijë persona, duke lënë miliona të tjerë pa strehim të përshtatshëm dhe pa nevojat elementare, thanë agjencitë. Ato paralajmëruan se rezervat e strehimit emergjent po shterojnë në mënyrë alarmante dhe se pa financim urgjent, gjithnjë e më shumë familje të zhvendosura do të përballen me kushte të vështira atmosferike, pasiguri dhe rrezik të shtuar nga dhuna dhe shfrytëzimi.
Sudani vazhdon të përballet me krizën më të madhe të zhvendosjes së popullsisë në botë, me rreth 8,6 milionë persona të zhvendosur brenda vendit dhe më shumë se 4,6 milionë të tjerë që janë larguar drejt vendeve fqinje, sipas deklaratës.
Ndërkohë, më shumë se 5,2 milionë persona janë kthyer në zonat e tyre të origjinës, ku shumë prej tyre kanë gjetur shtëpitë, infrastrukturën dhe shërbimet themelore të dëmtuara ose të shkatërruara. Agjencitë thanë se luftimet e vazhdueshme, pasiguria dhe sulmet me dronë po shkaktojnë zhvendosje të mëtejshme të popullsisë dhe po kufizojnë operacionet humanitare.
Plani Humanitar i Nevojave dhe Reagimit për Sudanin për vitin 2026 kërkon 2,9 miliardë dollarë për të ndihmuar 20,4 milionë njerëz nga gjithsej 33,7 milionë në nevojë, por deri më tani është siguruar vetëm rreth 47 për qind e financimit të nevojshëm.
UNHCR dhe IOM bënë thirrje për financim urgjent, të parashikueshëm dhe fleksibël, me qëllim ruajtjen e rezervave të strehimit emergjent dhe parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të kushteve humanitare. Sudani është përfshirë në një konflikt mes ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një formacion paramilitar, që nga prilli i vitit 2023.
Konflikti ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka zhvendosur miliona njerëz.


