Pas akuzave të BDI-së ndaj zëvendësministrit Admir Shabani dhe VLEN-it për përfaqësimin e shqiptatëve në Armaten e Maqedonisë së Veriut respektivisht akademinë ushtarake përmes një postimi në profilin e tij ka reaguar zëvendësmiistri Shabani i cili ka publikuar të dhëna të detajuara nga përfaqësimi i shqiptarëve në ARM që nga viti 2016 deri në ditën e sotme, shkruan Top24
Të jemi të sinqertë, edhe unë jam i shqetësuar për faktin se këtë vit nuk kemi asnjë kadet shqiptar të pranuar në Akademinë Ushtarake. Kjo është një çështje që meriton vëmendje serioze institucionale dhe politike. Por, shqetësimi për një çështje nuk na jep të drejtën ta shkëpusim atë nga konteksti historik, t’i anashkalojmë faktet dhe ta shndërrojmë në instrument të propagandës ditore.
Ajo që është interesante, madje edhe ironike, është se si disa sot shfaqen si mbrojtës të përkushtuar të përfaqësimit shqiptar, sikur ky problem të ishte zbuluar vetëm tani dhe sikur historia e institucionit të fillonte me qeverisjen aktuale.
Para se të shpërndajmë akuza, le t’i shohim faktet dhe shifrat!
Ja sa shqiptarë kanë kandiduar dhe sa prej tyre janë pranuar në Akademinë Ushtarake gjatë viteve 2016–2026:
* 2016 – 10 kandidatë, 7 të pranuar;
* 2017 – 7 kandidatë, 5 të pranuar;
* 2018 – 4 kandidatë, 2 të pranuar;
* 2019 – 5 kandidatë, 3 të pranuar;
* 2020 – 6 kandidatë, 4 të pranuar;
* 2021 – 5 kandidatë, 3 të pranuar;
* 2022 – 4 kandidatë, 2 të pranuar;
* 2023 – 5 kandidatë, 3 të pranuar;
* 2024 – 3 kandidatë, 1 i pranuar;
* 2025 – 2 kandidatë, 1 i pranuar;
* 2026 – 1 kandidat, 0 të pranuar.
Pra, në një periudhë prej 11 vitesh kemi gjithsej 52 kandidatë shqiptarë, prej të cilëve 31 janë pranuar.
Nëse marrim si bazë 30 kadetë të pranuar gjithsej në vit, përfaqësimi shqiptar ka qenë:
* 2016 – 23.33%;
* 2017 – 16.67%;
* 2018 – 6.67%;
* 2019 – 10%;
* 2020 – 13.33%;
* 2021 – 10%;
* 2022 – 6.67%;
* 2023 – 10%;
* 2024 – 3.33%;
* 2025 – 3.33%;
* 2026 – 0%.
Dhe këtu lindin pyetjet që meritojnë përgjigje:
Si është e mundur që nga 10 kandidatë shqiptarë në vitin 2016, të arrijmë në vetëm një kandidat në vitin 2026?
Pse nuk po arrijmë të krijojmë interesim te gjeneratat e reja për karrierën ushtarake?
Çfarë është bërë ndër vite për promovimin e Akademisë dhe për motivimin e të rinjve shqiptarë që të aplikojnë?
A është kjo një çështje që fillon dhe përfundon me një komunikatë politike, apo një problem shumëvjeçar që kërkon analizë dhe përgjegjësi të përbashkët?
Nuk duhet të harrojmë se Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e saj kanë kaluar periudha të gjata të devalvimit të rolit, autoritetit dhe funksionimit institucional. Pasojat e politikave të së kaluarës nuk mund të fshihen nga kujtesa, e aq më pak të shkëputen nga përgjegjësitë e atyre që kanë qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse.
Por, kjo nuk do të thotë se duhet të kënaqemi me gjendjen aktuale apo të shmangim përgjegjësinë për të ardhmen. Përkundrazi, pikërisht këtu duhet të fillojë angazhimi serioz.
Nëse vërtet duam më shumë shqiptarë në Akademinë Ushtarake dhe në institucionet e mbrojtjes, duhet ta kuptojmë se kjo nuk është vetëm detyrë e Ministrisë së Mbrojtjes. Është një çështje që kërkon angazhim të gjithanshëm politik, institucional dhe shoqëror.
Kërkohet angazhimi i partive politike, komunave, shkollave të mesme, profesorëve, mediave, shoqërisë civile dhe personaliteteve publike. Duhet të organizohen takime informuese, prezantime të mundësive profesionale, promovime të karrierës ushtarake dhe aktivitete konkrete për t’i motivuar të rinjtë që të aplikojnë.
Kërkohet bashkëpunim me institucionet arsimore, identifikim i të rinjve potencialë dhe informim i drejtë për kushtet, kriteret dhe mundësitë që ofron Akademia.
Sepse, nëse nuk kemi kandidatë që aplikojnë, nuk mund të presim që përfaqësimi të rritet vetvetiu. Në të njëjtën kohë, institucionet kanë përgjegjësi të sigurojnë transparencë, mundësi të barabarta dhe zbatim të drejtë të kritereve të pranimit.
Është shumë e lehtë të dalësh me një komunikatë, të akuzosh dhe të krijosh një debat politik. Por, përgjegjësia nuk matet vetëm me atë se sa fort e ngre zërin për një problem, por edhe me atë se sa kontribuon për ta zgjidhur atë.
Dhe tani, më lejoni t’ju them: SA TË MIRË JENI!
Sa të mirë jeni kur papritur ju kujtohet përfaqësimi shqiptar!
Sa të mirë jeni kur një problem shumëvjeçar e reduktoni në një komunikatë dhe ia faturoni vetëm dikujt tjetër!
Sa të mirë jeni kur harroni vitet kur keni pasur mundësi të ndikoni, të ndërmerrni iniciativa dhe të kontribuoni në ndryshimin e kësaj gjendjeje!
Sa të mirë jeni kur kërkoni përgjegjësi nga të tjerët, por nuk flisni për përgjegjësitë tuaja!
Sa të mirë jeni kur e ktheni çdo çështje me interes kombëtar në kapital politik, në vend që ta shndërroni në një angazhim të përbashkët!
Dhe sa të mirë jeni kur mendoni se një komunikatë e publikuar sot mund t’i fshijë të gjitha ato që kanë ndodhur dje!
Por, përfaqësimi nuk është pronë e asnjë partie politike. As shqetësimi për shqiptarët nuk mund të jetë monopol i askujt.
Unë jam i shqetësuar dhe besoj se duhet të jemi të gjithë. Por shqetësimi im nuk përfundon me një status, një konferencë apo një komunikatë. Ai duhet të shndërrohet në angazhim, bashkëpunim dhe rezultate konkrete.
Me shumë respekt !


