Shembet ura hekurudhore në Rusi, dalin nga shinat vagonët e trenit të mallrave, vonesa për 8 trena pasagjerësh

Një urë hekurudhore është shembur mëngjesin e së martës në rajonin e Arkhangelskut, në veri të Rusisë, duke shkaktuar daljen nga shinat të disa vagonëve të një treni mallrash dhe ndërprerjen e qarkullimit hekurudhor.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 05:10, kur një pjesë e urës mbi lumin Vilen u shemb në segmentin mes Cheryomukha dhe Vilen. Guvernatori i rajonit, Alexander Tsybulsky, konfirmoi se shembja shkaktoi daljen nga shinat të vagonëve. Sipas informacioneve paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar.

Si pasojë e incidentit, trafiku hekurudhor në këtë linjë u ndërpre, duke shkaktuar vonesa për të paktën tetë trena pasagjerësh.

Në vendngjarje janë dërguar ekipe të specializuara dhe trena shpëtimi për të menaxhuar situatën. Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e transportimit të udhëtarëve me autobusë. Ndërkohë, ka nisur hetimi për të përcaktuar shkaqet e shembjes, të cilat ende nuk janë bërë të ditura.